Macroni e fton në darkë Bin Salmanin, kritikohet ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut - NACIONALE

Macroni e fton në darkë Bin Salmanin, kritikohet ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar ashpër vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ta pritur në takim në Paris princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në vizitën e tij të parë në Evropë që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi para gati katër vjetëve.

Princi Mohammed arriti në aeroportin Orly të mërkurën në mbrëmje pas pritjes me qilim të kuq në Greqi dhe u përshëndet nga ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, raportuan mediet franceze.

Ai do të mirëpritet në Pallatin Elysee të enjten për një darkë pune gjatë së cilës presidenti francez pritet ta kërkojë nga Salmani shtimin e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite pas shqetësimit perëndimor për mungesë të energjisë gjatë dimrit për shkak të luftës në Ukrainë.

Kjo vizitë shënon një hap të mëtejmë të rehabilitimit të udhëheqësit saudit pas vrasjes së gazetarit Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll më 2018. Në një hetim të Kombeve të Bashkuara, ky rast ishte përshkruar si “vrasje jashtëgjyqësore për të cilën përgjegjëse është Arabia Saudite”.

Në konkluzionin e hetimit thuhej se ka dëshmi të besueshme për ta justifikuar hetimin e mëtejmë të zyrtarëve të lartë sauditë, përfshirë princin Mohammed, për të cilin agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë se e kishte miratuar operacionin e vrasjes.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e vizitoi Arabinë Saudite më herët këtë muaj. Presidenti francez e vizitoi Arabinë Saudite në dhjetor, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson, në mars.

Grupet për të drejtat e njeriut patën kritikat të ashpra. Vizita e princit saudit në Francë dhe udhëtimi i Bidenit në Arabi Saudite “nuk e ndryshojnë faktin se (princi Mohammed) nuk është asgjë tjetër pos vrasës”, tha Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës “Amnesty International”.

Kryetarja e organizatës “Human Rights Watch” në Francë, Benedicte Jeannerod, tha se Bin Salman-i “qartazi mund të llogarisë në Macron-in për ta rehabilituar atë në skenën ndërkombëtare pavarësisht nga vrasja mizore e Jamal Khashoggi-t, shtypjes për keqardhje të tërë kritikave nga autoritetet saudite dhe krimet e luftës në Jemen.”

Julien Bayou, krytear i Partisë së Gjelbër në opozitë, tha se është i shokuar që Franca “po e braktis tërësisht idenë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë”. “Emmanuel Macron-i është detyruar që ta shtrojë qilimin e kuq, sepse ne kemi nevojë për naftë. Varësia nga lëndët fosile nënkupton që ne po i shesim lirë parimet tona”, tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme