Macron: Bllokada në Ngushticën e Hormuzit s’e justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë
Duke folur pas një video-konference me udhëheqësit e vendeve të grupit G7, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se bllokada në Ngushticën e Hormuzit “nuk e justifikon” heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Macroni shtoi se situata në Iran nuk duhet “t’i zvogëlojë fokusin tonë mbi Ukrainën, mbështetjen tonë për Ukrainën ose qartësinë që e kemi në lidhje me sanksionet kundër Rusisë”, raporton televizioni BBC.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër naftës ruse pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, duke i detyruar blerësit e saj që të kërkojnë alternativa.
Këto sanksione u lehtësuan përkohësisht nga qeveria amerikane për ta lejuar Indinë që të blejë naftë ruse që tani për tani është e bllokuar në det, në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, ka thënë më herët se masa 30-ditore për Indinë është “masë e qëllimshme afatshkurtër” për ta lejuar rrjedhjen e naftës në tregun botëror.
Macroni u tha udhëheqësve gjatë konferencës së grupit G7 se “është me rëndësi që ne të bashkërendohemi me qëllim që të sigurohemi se liria e lundrimit rivendoset qartazi” në Ngushticën e Hormuzit “sa më shpejt që është e mundshme”.