Luftimet Izrael-Hamas: Numri i viktimave në Gaza shkon në mbi 5 mijë
Luftimet Izrael-Hamas janë duke vazhduar me zyrtarët palestinezë në ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi që në të dhënat e fundit kanë treguar se për 24 orë janë vrarë edhe 436 persona në Gaza, duke e çuar numrin total të vdekjeve në më shumë se 5,000.
Në anën tjetër Izraeli ka njoftuar se ka goditur 320 objektiva, duke thënë se në shënjestër e ka infrastrukturën e Hamasit përfshirë tunelet dhe vendet e lëshimit të raketave.
Nga Izraeli po ashtu është bërë e ditur se forcat ushtarake tashmë kanë hyrë brenda Rripit të Gazës për ta pastruar zonën nga terroristët dhe armët. Zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari bëri të ditur se Izraeli kreu më shumë sulme në Gaza gjatë natës për të "vrarë skuadrat e terroristëve që po përgatiten për fazën tjetër të luftës" dhe "për të marrë informacione mbi të zhdukurit dhe pengjet".
Deri më tani, sipas Izraelit, Hamasi është duke mbajtur peng 222 persona në Gaza.
Është bërë e ditur po ashtu se të hënën ka hyrë edhe një grup i tretë automjetesh që transportonin ndihma jetike në vendkalimin Rafah që lidh Egjiptin dhe Gazën, megjithatë grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se kërkohet shumë më tepër për të frenuar një krizë të thelluar humanitare brenda brezit.
Dihet se bombardimet izraelite dhe bllokada e plotë në enklavën palestineze ka vënë më shumë se 2 milionë civilë në rrezik të dehidrimit të rëndë dhe urisë.
