Luftë e ngushtë për Senat, partia e Bidenit duke e humbur garën kyçe në Nevada
Kandidatja për anëtare të Senatit nga radhët e Partisë Demokratike të ShBA-së në Nevada, Catherine Cortez Masto, e cila deri më tani ka pasur ulëse në dhomën e lartë të Kongresit, është në disavantazh.
Kur janë numëruar rreth 80 për qind të votave, kandidati i Partisë Republikane, Adam Laxalt, është duke prirë me 49.9 për qind ose mbi 418.000 vota.
Ndërkohë demokratja Masto ka 47.2 për qind ose 395.866 vota. Dallimi mes vendit të parë dhe të dytë aktualisht është mbi 22.000 vota.
Fitorja në Nevada është shumë e rëndësishme për të dyja partitë për shkak të garës së ngushtë për Senat, ku secila ka tash për tash nga 48 ulëse.
Situatë tjetër është në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, ku Partia Republikane ka epërsi të konsiderueshme me 199 ulëse. Partia Demokratike tash për tash ka 178 ulëse.
Ndryshe nga gara për Senat, ku vetëm një pjesë e ulëseve janë në garë, të gjitha ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve janë në garë.
Deri më tani, shumicën në këtë organ e ka pasur Partia Demokratike. Sidoqoftë, nëse vazhdon trendi i votave që janë numëruar deri më tani, gjasat janë të mëdha që shumica t’i kalojë Partisë Republikane.
