Luftanijet gjermane në pritje të urdhrit për të kaluar nëpër Ngushticën e Tajvanit - NACIONALE

Luftanijet gjermane në pritje të urdhrit për të kaluar nëpër Ngushticën e Tajvanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy luftanije gjermane po presin urdhra nga Berlini, tha komandanti i tyre, për të përcaktuar nëse muajin e ardhshëm do të jenë anijet e para të forcave detare gjermane në disa dekada që do të kalojnë nëpër Ngushticën e Tajvanit, duke e nxitur qortimin nga Kina.

Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, përfshirë Kanadanë, kanë dërguar luftanije nëpër këtë ngushticë në javët e fundit, ky do të ishte kalimi i parë i forcave detare gjermane nëpër rrugën ujore me rëndësi strategjike që nga viti 2002.

“Vendimi nuk është marrë ende” – i tha agjencisë “Reuters” komandanti i task-forcës detare, Axel Schulz, duke shtuar se në vendim do të luajë rol edhe moti.

“Ne po e shfaqim flamurin tonë këtu për të treguar se u qëndrojmë prapa partnerëve dhe miqve, zotimit tonë ndaj rendit të mbështetur në rregulla, zgjidhjes paqësore të konflikteve territoriale dhe rrugëve të lira e të sigurta të lundrimit” – shtoi ai.

Kur u pyet për kalimin e mundshëm të anijeve gjermane, Ministria e Jashtme e Kinës tha se Tajvani është çështje e brendshme kineze dhe se çelësi për stabilitet është kundërshtimi i pavarësisë së Tajvanit.

“Kina gjithmonë ka qenë kundër minimit të sovranitetit territorial dhe sigurisë së Kinës nën maskën e lirisë së lundrimit” – tha zëdhënësja e kësaj ministrie, Mao Ning, para gazetarëve në Pekin.

Para kalimit të mundshëm nëpër Ngushticën e Tajvanit muajin e ardhshëm, fregata “Baden-Wuerttemberg” dhe anija për rimbushje “Frankfurt am Main” planifikojnë që të lajmërohen në Tokio të martën. Ato do të ndalen edhe në Kore të Jugut dhe në Filipine.

Këto anije do të marrin pjesë në ushtrimet në rajon bashkë me forca të Francës, Indonezisë, Italisë, Japonisë, Malajzisë, Singaporit, Filipineve dhe Shteteve të Bashkuara.

Në katër vitet e fundit, ushtria kineze i ka shtuar aktivitetet e saj në Ngushticën e Tajvanit./Nacionale

Lajme të ngjashme