Luftanija ruse me armë hipersonike mban ushtrime në Detin Norvegjez - NACIONALE

Luftanija ruse me armë hipersonike mban ushtrime në Detin Norvegjez

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një luftanije ruse, e armatosur me armë hipersonike me vetëdrejtim, ka mbajtur ushtrime në Detin Norvegjez, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

“Ekuipazhi i luftanijes “Admirali i Flotës së Bashkimit Sovjetik Gorshkov” kreu një ushtrim të mbrojtjes ajrore në Detin Norvegjez”- tha kjo ministri.

“Ekuipazhi... kreu një ushtrim për t’i zmbrapsur mjetet e një sulmi ajror të një armiku të simuluar në Detin Norvegjez”- thuhet në njoftim.

Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, e dërgoi luftanijen në Oqeanin Atlantik, të armatosur me raketa hipersonike të gjeneratës së re, sinjal për Perëndimin se Rusia nuk do të zmbrapset në luftën e Ukrainës.

Kjo luftanije është e armatosur me raketa “Zircon”, për të cilat Rusia thotë se fluturojnë nëntë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe se kanë rreze veprimi prej më shumë se një mijë kilometrash.

Rusia i sheh këto armë si mënyrë për t’i përshkuar sistemet mbrojtëse raketore gjithnjë më të zhvilluara të Shteteve të Bashkuara, për të cilat Putini ka paralajmëruar se një ditë mund t’i rrëzojnë raketat bërthamore ruse.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, javën e kaluar i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se raketat hipersonike do të jenë afër brigjeve të NATO-s.

Lajme të ngjashme