Lufta në Ukrainë s’i kursen as kafshët: Disa qen vriten nga sulmi në një strehimore - NACIONALE

Lufta në Ukrainë s’i kursen as kafshët: Disa qen vriten nga sulmi në një strehimore

3 javë më parë

nga NACIONALE

Përpos njerëzve e infrastrukturës, nga agresioni rus në Ukrainë po pësojnë edhe kafshët.

Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia hodhi 328 dronë e shtatë raketa gjatë natës së kaluar e në mëngjesin e hershëm, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan shumicën e dronëve – 297.

Një person u vra dhe dy të tjerë u lënduan nga një sulm rus i kryer gjatë natës me dronë dhe bomba të fuqishme rrëshqitëse ndaj rajonit qendror të Dnipropetrovskit, sipas kreut të administratës rajonale ushtarake, Oleksandr Hanzha, raporton agjencia e lajmeve "Associated Press".

Një sulm ajror rus ndaj rajonit Zaporizhia në jug në orët e hershme të mëngjesit la të lënduar tetë njerëz dhe dëmtoi 18 blloqe banesore, sipas kreut të administratës rajonale ushtarake atje, Ivan Fedorov.

Nga sulmet u godit edhe një strehimore e qenve në kryeqytetin rajonal, me ç’rast u vranë 13 kafshë, tha Rehina Kharchenko, sekretare e Këshillit të Qytetit në Zaporizhia.

Disa qen u dërguan me urgjencë në një klinikë veterinarie, por nuk mund të shpëtoheshin, tha ajo. Shtatë kafshë të tjera pësuan lëndime dhe janë duke u trajtuar.

Në kohën e motit të ftohtë në Kiev, më shumë se 1.200 ndërtesa banimi në disa distrikte të kryeqytetit nuk kanë pasur ngrohje me ditë të tëra për shkak të sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të premten se rrjetin energjetik i Ukrainës “është duke e përjetuar krizën e tij më akute të dimrit”./Nacionale

Lajme të ngjashme