Lufta në Ukrainë: Sa është duke nxitur debatin për identitetet kombëtare në Europë? - NACIONALE

Lufta në Ukrainë: Sa është duke nxitur debatin për identitetet kombëtare në Europë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Feja dhe Putini

Lufta që është duke ndodhur në Ukrainë është e tmerrshme. Që kur ka filluar pushtimi i Rusisë në këtë shtet, si mund të flasim për ndonjë pyetje tjetër komplekse, derisa jeta dhe siguria e shoqërisë ukrainase është kryesorja. Zemra ime gjakon kur e mendoj që edhe sa njerëz të tjerë mund të mbyten atje. Kjo luftë më kthen 22 vjet prapa, pikërisht në luftën e përgjakshme në Kosovë. Më përkujton se si atëbotë u përdorën mitet nacionaliste serbe (aspekte nga historia e cila bëhet e shenjtë për komb shtetin) dhe sot është duke ndodhur një déjà vu veç se tash nga ana e Rusisë. Propaganda e presidentit të atëhershëm serb Milošević në luftën e Kosovës përdorte arsyetimin fetar ndaj shqiptarëve, ndërkohë që luta nuk kishte fare të bënte me fenë por me shfarosjen etnike.

Shkruan: Jeta Abazi*

Tani shtrohet pyetja a është presidenti rus (Vladimir Putin) i interesuar vetëm në marrjen me dhunë të territorit ukrainas apo thellë në projketin e tij ambicioz synimi është më i fshehur? Joeselyne Cesari, në librin e saj “Ne njerëzit e zotit: Krishterimi, Islami dhe Hinduizmi në Botën e Kombeve (original: “We God's People: Christianity, Islam and Hinduism in the World of Nation”), botuar një vit më parë, shkroi për projektin e Putinit. Sipas saj, ky qëllim ndërlidhet me fenë. Ani pse lajmet e sotme mund të mos e fokusojnë që autokrati rus nuk dëshiron vetëm të përbijë territore por edhe të shtrij pushtetin e kishës ortodokse ruse duke e parë veten si një mbret. Ambicia e tij daton në një mit historik të quajtur “Rusia e Shenjtë”, sekreti i së cilës ka mision të zgjeroj kristianizmin e Mbretit Car dhe Patriarkatit Ortodoks, shpjegon Cesari. Në krahasim me përvojat e tjera të komb-shteteve, në këtë mit, mbreti dhe kisha nuk shihen si të ndarë por si një trup që bashkëpunojnë mes vete. Edhe studiusi ukraians Taras Kuziu, foli në një diskutim në Twitter, në një vijë me studjuesen Ceasri, ai rikujtoi rrënjët e shovenizmit dhe imperializmit rus që sipas tij janë në staginimin e nacionalizmit parasovjetik e identitar. Derisa, dikur Ukraina pranohej si e ndarë nga Rusia, në 50 vitet e fundit nuk është parë kështu, fliste Kuziu javën që lam pasë në hapësirnë Twitter i ftuar nga Asociacioni për Studimin e Etnicitetit dhe Nacionalizmit (ASEN).

Si u bënë ortodoksët kundër ortodoksëve?

Në këtë rrëmujë, në shikim duket se nuk kemi përplasje mes dy feve të ndryshme, apo civilizimeve të kundërta. Mirëpo në fakt pozicionimi i Ukrainës, shfaq përplasjen Perëndim dhe Lindje. Aktualisht, Kisha Autoqefale Ortodokse Ukrainase fuqishëm e mbështet sovranitetin e Ukrainës. Kisha Ortodokse Ukrainase e Patriarkatit të Moskës mban qëndrim paqësor. Mirëpo më shumë se gjysma ukrainase, pra 63 përqind dëshirojnë që të shkëputen nga Patriarkati i Moskës (ratinggroup.ua/en/). Në anën tjetër, priftërinjtë rus nuk kanë qëndruar indiferentë në këtë luftë, ata kanë bekuar ushtarët dhe altilerinë ushtarake ruse. Njëjtë siç kishte ndodhur edhe në luftën e Kosovës, ushtarët serb bekoheshin nga priftërinjtë. Ukraina ka shumicë ortodokse, ndërsa presidenti i saj është hebre, për koincidencë një kohë edhe kryeministri ka qenë hebre, Volodymyr Groysman. Për një shoqëri që vlerësohet si ortodokse, pranimi i një lideri laik apo jo ortodoks është po ashtu një lloj pozicionimi jo lindor.

Ҫfarë ka rëndësi identiteti fetar i udhëheqësve, viktimave dhe pushtuesve? Putin, lideri ortodoks rus, përveq se e kemi parë duke u zhytyr në ujërat e akullta për të shënuar traditat e krishtera të Linjdes, po e shohim që përdor edhe fenë në arsyetimin e krimeve, të bëra ndaj ortodoksëve ukrainas të cilët janë viktima. Presdeinti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në kërkimet në google përveç kureshtjes për gjatësinë e tij, interneti ka pyetur edhe për ‘çfarë feje është’. Ndonëse indentiteti fetar nuk flet për fetarinë e tij, sikurse nuk flet as për Putinin. Këto dyja shpesh ngatërrohen, se si shtetet i definojnë raportet me fenë dhe si shoqëria apo liderët çofshin ata laik apo fetarë e përdorin fenë dhe politikën.

Europa dhe identitetet fetare

Le të kthehemi në debatin e identiteteve. A është momenti i duhur t’i shtrojmë këto pyetje? Ukraina sikur Kosova shtyhet që të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe e familjes së madhe evropiane. Evropa nuk është vetëm e krishterë. Edhe pse krijohet përshtypja ndonjëherë sikur ‘ajo’ është aq homogjene. Sikurse për shqiptarët që është krijuar përshtypja se “Evropa është toka e aspiratave, mishërimi i qytetërimit, i pushtetit, i ëndrrës së mirëqenies, streha ku ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur” (Schwander-Sievers dhe Fischer, Identitetet Shqiptare: Mitet dhe Historia fq.44). Sepse, kjo ‘Europa’ projektohet si një entitet abstrakt dhe si një copë e shkëputur (po aty). Evropa është edhe e krishterë, edhe protestante, edhe evangjeliste, hebraike, myslimane dhe ateiste. Këtë pyetje e kishte kërkuar sociologu i fesë, Olivier Roy, “Evropa-është ajo e krishterë?” (orgjinal: “L'Europe est-elle chrétienne”?). Autori francez kishte përkujtuar që etërit e Bashkimit Europian, nuk i kishte lidhur elementi fetar por të drejtat e njeriut. Roy, aty thotë që , “vlerat laike të Evropës (edhe nëse ato herë pas here i referohen një identiteti të krishterë) nuk janë vlera ekskluzivisht të krishtera, por vlera liberale që dalin nga periudha e Iluminizmit dhe proceset e laicizimit, duke përfshirë lirinë e ndërgjegjes dhe kritikës, lirinë seksuale, të drejtat e njeriut, dhe kohët e fundit të drejtat e LGBTI+” (po aty, 5).

Faktet aktualisht janë këto, Bashkimi Evropian miratoi sanksionet ndaj agrensionit rus, Serbia e cila nuk tregon pozicion konkret, luan lojën Perëndim -Lindje dhe ende synon BE-në, por nuk e ka dënuar fare agresionin. Parlamenti i Kosovës ka votuar një rezolutë kundër agresionit rus (më 3 mars 2022) dhe ka treguar pozicionin e saj.

Politika e Përjashtimit

Duke e pasur parasysh një debat bukur të ashpër në Evropë nga përfaqësues të partive të ekstremit të djathtë, e nganjëherë të majtë, këta politikanë përdorin fenë Islame për t’i përjashtuar dhe dalluar myslimanët emigrantë sepse ata janë “të tjerë”, nuk janë “sikur ne”. Edhe sulmet terroriste të bëra në emër të fesë e kanë polarizuar diskutimin dhe kanë thelluar ndarjet. Si rrjedhojë, për një vend të vogël siç është Kosova karshi këtyre ligjërimeve, çështja e identiteve bëhet edhe më komplekse sepse Kosova për nga përqindja e popullsisë ka shumicë myslimane. Politika e ligjërimeve të përjashtimit bën udhëheqësit dhe qytetarët të ndjehen të përjashtuar nga një model Evrope, sikurse ajo te ishte veç e krishterë. Ky model përjashtues madje normalizohet. I bën narrativat dhe ligjërimet e shqiptarëve të mshefin identitetet e tyre të pasura, të cilat kanë ekzistuar dhe janë prezente. Nga ana e identifikimit fetar, shqiptarët janë mysliman, por janë edhe Bektashinj, dervish, katolikë, ortodoksë, hebrenj, agnostikë, ateist e laik. Identitetet nuk mund të reduktohen në një element të përveçëm (Smith, Identiteti Kombëtar), fq.16). Në aspektin ligjor, shqiptarët edhe në Kosovë edhe në Shqipëri janë pajtuar për shtete laike e shekullare.

E rikthejmë edhe njëherë debatin në rajonin tonë. Kryeminitri i Shqiperisë, Edi Rama, i pyetur nga një gazetare turke, gjatë Forumit Diplomatik në Antali, krejt në fund, (edhe pse nuk dihet a ishte në formë shakaje,) deri sa foli për ukrainasit që janë pranuar në Shqipëri, ai duke qesh tha, “mendoj se ata [ukrainasit] do të jenë mirë sepse ata nuk janë myslimanë”. A po trajtohen refugjatët ukrainas më mirë? Sa seriozisht duhet të merret një citat fluturimthi, deklarata e tij mund jetë thënë për të ngjallur vëmendje jo me shkas të luftës në Siri. Për shikuesit turq ky koment prek me afër. Rama, është një nga politikanët rajonal e krahas tij, të tjerë kanë provokuar me vëmendjen e luftës në Ukrainë. Duke thënë që luftërat tjera nuk morën vëmendjen e njëjtë, sepse ishin, siç tha Rama “myslimanë”. Jo për ta nënvlerësuar luftën ukrainase e të vrarët, por për t’i rikujtuar dallimet në atë që shihet si ‘tjetër’. Ukraina për Evropën Lindore gjeografikisht është më e afërt, si dhe shumë më e njohur kulturalisht sesa Lindja e Mesme apo Afrika. Për rastin e Kosovës, jo vetëm që nuk është larg, por për shkak të përjetimit të njëjtë ndjehet edhe më afër, shto këtu që armiku i Ukrainës është miku i armikut të Kosovës. Në Europë, migrantët ukraianas në diskurs janë ‘sikur ne’. Raca dhe racizmi bën rol në ata se si njerëzit i shohin refugjatë. Ndonëse në Evropë, Gjermania ishte shteti i cili kishte pranuar refugjatët sirian dhe pikërisht ish kancerlaja Angela Merkel ishte kritikuar për këtë hapje e mikpritje. Më kujtohet, fytyra e saj e mbuluar me shami, në një fotomontazh në të cilin e tallnin për shkak të sirianëve (tetor 2015). Nuk mund të përgjithësohen politikanët e as shtetet.

Mund të mos duam në këtë situate të sjellim pyetje për çështje fetare, apo për Islamin. Në Europë gjithmonë do të bëhet diskutim dhe këto dallime në ligjërime do të jenë prezente. Për tu rikthyer pyetjes së fillimit, PO- duhet të flasim për çështjen e identiteteve, edhe kur bëhet fjalë për sigurinë. Sepse, kur ngritet çështja e identiteteve atëherë nuk duhet të normalizohet politika e përjashtimit ligjërues. As për ata që janë viktima, apo refugjatë, e as ndaj shteteve të vogla si Kosova. Pozicioni gjeopolitik i Kosovës duhet të jetë i tillë që kur projektohet Evropa e BE-ja, të çnormalizohet politika e përjashtimit. Kosova ka plotë identitete e ato nuk duhen shtypur. Nëse ato shtypen rrezikohet pluraliteti, multikulturalizmi dhe dallueshmëria –vlera universale të demokracisë dhe të promvuara mirë nga vet BE-ja.

*Punon në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është në prag të mbrojtjes së doktoratës në Universitetin e Leipzigut në Gjermani. Artikulli është pjesë e një projekti kërkimor të prodhuar në kuadër të Bursës Kosovare për Hulumtime dhe Analiza, të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Lajme të ngjashme