Lufta i sjell Putinit rezultate të kundërta, po ndihmon në zgjerimin e NATO-s - NACIONALE

Lufta i sjell Putinit rezultate të kundërta, po ndihmon në zgjerimin e NATO-s

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë, qëllimet e tij ishin të qarta. Ai donte të sillte fqinjin e tij nën këmbë, të pohonte autoritetin rus në Evropën Lindore dhe ta bënte Perëndimin të mendonte dy herë për zgjerimin ushtarak dhe politik drejt kufijve të Rusisë.

Por në një aspekt të rëndësishëm, plani i Putinit duket se ka dështuar pasi që lufta ka bashkuar Perëndimin kundër Moskës në mënyra që në muajin janar, dukeshin të paimagjinueshme .

Tani, dy kombe që nuk janë zyrtarisht të anëtarësuara, Finlanda dhe Suedia po afrohen gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit në aleancën ushtarake të udhëhequr nga ShBA, NATO.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologen e saj suedeze në Stokholm të mërkurën, kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha se vendimi i vendit të saj nëse do të aplikojë për anëtarësim do të merret brenda "javëve, jo brenda muajve".

"Ne duhet të kemi një pikëpamje për të ardhmen dhe ne po e përdorim këtë kohë për të analizuar dhe gjithashtu për të ndërtuar pikëpamje të përbashkëta për të ardhmen kur bëhet fjalë për sigurinë," tha Marin. "Unë nuk do të jap asnjë lloj afati se kur do të marrim vendimet tona, por mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve."

Ndërkohë, Suedia duhet të përfundojë një analizë të politikës së saj të sigurisë deri në fund të majit. Një zyrtar suedez ka thënë për CNN se kombi i tyre mund ta bëjë publik shumë shpejt pozicionin, në varësi se kur do të vendosë edhe Finlanda fqinje.

Të mërkurën, kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha në një konferencë shtypi se "peizazhi i sigurisë ka ndryshuar plotësisht" pas pushtimit rus të Ukrainës dhe "duke pasur parasysh këtë situatë, duhet të mendohet vërtetë se çfarë është më e mira për Suedinë dhe për sigurinë e paqen e vendit në këtë situatë të re”.

Anderson tha se “kjo është një kohë shumë e rëndësishme në histori. Ka një (histori) para dhe pas 24 shkurtit," duke iu referuar datës kur filloi pushtimi rus.

Kryeministres gjithashtu iu kërkua të komentonte raportet në mediat suedeze se Suedia tashmë ka vendosur t'i bashkohet aleancës.

“Ndonjëherë nëse lexoni disa deklarata në mediat suedeze, është sikur duhet të jeni shumë të shpejtë për të marrë një vendim. Unë mendoj se situata e re duhet të analizohet me të vërtetë, shumë seriozisht dhe të mendohet për pasojat - të mirat e të këqijat e të gjitha rrugëve të mundshme përpara”.

Që nga pushtimi i Ukrainës, opinioni publik në të dy vendet ka ndryshuar ndjeshëm. Ndërkohë aleatët dhe zyrtarët e NATO-s në përgjithësi e mbështesin anëtarësimin e të dy vendeve. I vetmi kundërshtim për këtë gjë mund të vijë nga Hungaria, lideri i së cilësh është i afërt me Putinin, megjithatë zyrtarët e NATO-s mendojnë se mund të ndryshohet edhe mendja e Viktor Orban.

Duke pasur parasysh se Putini e filloi luftën e tij duke kërkuar që NATO-ja ti kthente kufijtë e saj atje ku ishin në vitet 1990, fakti që kjo madje po konsiderohet, përfaqëson një fatkeqësi diplomatike për Moskën.

E në veçanti nëse Finlanda vendos të bashkohet me aleancën, Putini do ta gjente Rusinë duke ndarë një kufi shtesë prej 830 miljesh me NATO-n.

Ndërkohë, mbi këtë çështje ka komentuar edhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cili paralajmëroi se zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Evropë.

"Ne kemi thënë vazhdimisht se vetë aleanca është një mjet për konfrontim. Kjo nuk është një aleancë që siguron paqe dhe stabilitet dhe zgjerimi i mëtejshëm i saj, natyrisht që nuk do të çojë në më shumë stabilitet në kontinentin evropian." tha ai.

Ndërsa Rob Bauer, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, u tha të martën gazetarëve se aleanca nuk i ka përjashtuar anëtarët e rinj, por tha se vendimi përfundimtar nëse duan të bashkohen ose jo, i takon Finlandës dhe Suedisë.

"Është një vendim sovran i çdo kombi që dëshiron të bashkohet me NATO-n të aplikojë për anëtarësim, gjë që ata deri tani nuk e kanë bërë... Ne nuk po detyrojmë askënd në NATO," ka thënë Bauer.

Dëshira për një integrim të ngushtë me Perëndimin, edhe pas pushtimit nga Rusia nuk është shuar as për Ukrainën. E ndërsa vendi nuk ka shumë gjasa të bashkohet me NATO-n, përpjekjet për tu bashkuar me BE-në janë përshpejtuar që nga fillimi i luftës.

Ky është një proces që do të zgjasë shumë, dhe mund të përballet me kundërshtime të ashpra nga Hungaria, e cila tashmë është në një betejë të keqe më Brukselin për shkeljet e të drejtave, gjë që ka sjellë edhe një propozim nga BE-ja për ta pezulluar financimin qendror për Budapestin.

Megjithatë, edhe një herë, fakti për të cilin po flitet dhe niveli i mbështetjes midis liderëve dhe zyrtarëve të BE-së është një tjetër tregues se sa i bashkuar është bërë Perëndimi kundër Rusisë.

Vlen të përmendet se që nga fillimi i luftës, Perëndimi kryesisht është bashkuar në përgjigjen e tij ndaj Rusisë, qoftë përmes sanksioneve ekonomike apo edhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Megjithatë, për të provuar se sa është e bashkuar në të vërtetë kjo aleancë kundër Rusisë, ka ende disa sfida.

Së pari, nëse del se Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë, do të ketë presion të madh për Perëndimin, veçanërisht NATO-n, për të marrë një rol edhe më aktiv në luftë - diçka që aleanca ka hezituar ta bëjë deri tani.

Anëtarët e NATO-s kanë diskutuar tashmë linjat e kuqe dhe çfarë veprimesh duhet të ndërmerren në rast të armëve kimike, por këto detaje janë ende private, në mënyrë që Rusia të parandalohet për të ndërmarrë masa mbrojtëse.

Megjithatë, çdo ndërhyrje e NATO-s me siguri do të çonte në një situatë më pak të qëndrueshme sigurie në Evropë, pasi Perëndimi do të rrezikonte një konfrontim ushtarak me Rusinë – e cila është një fuqi bërthamore, dhe ka shumë mundësi që të përgjigjet duke intensifikuar sulmet e saj në Ukrainë dhe ndoshta edhe në zona të tjera të ndikimit tradicional rus.

Së dyti, kriza e kostos së jetesës në shumë vende evropiane së shpejti mund të testojë unitetin e sanksioneve të ardhshme perëndimore ndaj Rusisë dhe embargove ndaj energjisë ruse. E nëse, në fund të fundit, ekonomia e Evropës Perëndimore konsiderohet më e rëndësishme sesa të kërkohet llogari nga Rusia për luftën kundër fqinjit të saj paqësor, atëherë Putini mund të shpëtojë nga pasojat e pushtimit të një vendi të pafajshëm.

Por, me mënyrën se si po qëndron ky unitet tani për tani, është e qartë se dëshira e Putinit për të nënçmuar aleancën perëndimore ka dështuar.

Lajme të ngjashme