Lituania e fajëson Rusinë për sulmin me çekiç ndaj ndihmësit të Navalnyt - NACIONALE

Lituania e fajëson Rusinë për sulmin me çekiç ndaj ndihmësit të Navalnyt

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lituania e ka fajësuar Rusinë për sulmin e përgjakshëm me çekiç ndaj një ndihmësi të vjetër të opozitarit të ndjerë rus, Alexei Navalny, afër shtëpisë së tij në Vilnius.

Leonid Volkov, 43 vjeç, u dërgua në spital pak pasi u sulmua me një çekiç nga një sulmues i panjohur të martën natën në kryeqytetin e Lituanisë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Burri më sulmoi në oborr, më goditi në këmbë rreth 15 herë. Këmba disi është në rregull. Dhemb, kur ec... Sidoqoftë, e theva dorën. Ata në mënyrë të fjalëpërfjalshme deshën që të bënin “shnicëll” prej meje” – shkroi Volkovi në rrjetin “Telegram”.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se sulmi ndaj ndihmësit të Navalnyt ishte qartazi i planifikuar dhe i lidhur me provokime të tjera kundër Lituanisë. “Unë vetëm mund t’ia them një gjë Putinit: askush nuk frikësohet nga ti këtu” – tha ai.

Departamenti i sigurisë shtetërore në Lituani tha se sulmi ndoshta ishte i organizuar dhe i ekzekutuar nga Moska për t’ia parandaluar opozitës ruse ndikimin në zgjedhjet presidenciale të kësaj fundjave në Rusi, ndërsa komisionari i policisë, Renatas Ozela, tha se policia po angazhon burime të mëdha për ta hetuar sulmin.

“Kjo është ngjarje e njëhershme dhe ne do ta zgjidhim me sukses... Populli ynë nuk duhet të frikësohet për shkak të saj” – tha Ozela.

Sulmi nda Volkovit ndoshta do t’i përkeqësojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Rusisë dhe Lituanisë, shtet i vogël i BE-së dhe i NATO-s me rreth 2,8 milionë banorë, që kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë dhe është bërë bazë për figura të opozitës ruse e bjelloruse.

Pas sulmit, Volkovi u zotua për vazhdimin e përpjekjeve kundër Putinit dhe u bëri thirrje rusëve që të dalin në mënyrë masive në një protestë në ditën e zgjedhjeve. “Ne do të punojmë dhe nuk do të dorëzohemi” – tha ai.

Lajme të ngjashme