Lituanezët mblodhën para për t’i blerë një "Bayraktar" Ukrainës, Turqia ua jep falas - NACIONALE

Lituanezët mblodhën para për t’i blerë një "Bayraktar" Ukrainës, Turqia ua jep falas

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një kontraktor turk i mbrojtjes ka rënë dakord të dhurojë dronin e armatosur pa pilot, prej 6 milionë dollarësh - për blerjen e së cilit Lituania po mblidhte para nga njerëzit, në mbështetje të luftës së Ukrainës kundër pushtuesve rusë.

Dhurimi i dronit Bayraktar TB2 është pjesë e asaj që duket të jetë një shtrëngim i lidhjeve të sigurisë dhe mbrojtjes midis Ankarasë dhe Vilniusit përpara një samiti kritik të NATO-s, që do të mbahet këtë muaj në Madrid.

Ministri i mbrojtjes i Lituanisë, Arvydas Anusauskas, përmes një postimi në Twitter të shkruar me shkronja të mëdha dhe emoji, njoftoi dhurimin e dronit nga Turqia duke thënë:

"Është e pabesueshme, por Turqia sapo pranoi të japë falas Bayraktar-in për të cilin Lituania po mblidhte para.”

Ai tha se milionat e mbledhura deri më tani si pjesë e fushatës së një gazetari lituanez për të blerë dronin do të shpenzohen për blerjen e raketave precize për të si dhe për mbështetje tjera për Ukrainën.

Arma, e prodhuar nga Baykar Technologies me bazë në Stamboll, është bërë e famshme nga përdorimi efektiv i saj nga forcat ukrainase kundër pushtuesve rus.

"Populli i Lituanisë ka mbledhur me nder fonde për të blerë një Bayraktar TB2 për Ukrainën," tha Baykar në një deklaratë. “Me të mësuar këtë, Baykar ka vendosur t'i dhurojë Lituanisë një Bayraktar TB2 pa pagesë dhe kërkon që ato fonde të shkojnë në Ukrainë për ndihma humanitare.”

Të dyja vendet e NATO-s do të marrin pjesë në një samit të mundshëm më 29 qershor në Madrid, ku aleanca ushtarake do të diskutojë lidhur me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Kujtojmë se, Turqia ka kundërshtuar hyrjen e tyre në NATO, për shkak “të mbështetjes së për organizatat kurde," të cilat Ankaraja i konsideron një kërcënim sigurie.

Lituania, ashtu si dy shtetet e tjera baltike Estonia dhe Letonia, po fitojnë ndikim dhe dominim si ndër anëtarët më të hapur dhe aktivë të koalicionit ad hoc që mbështet Ukrainën kundër pushtuesve rusë. Të tre ish-republikat sovjetike janë ndër pesë donatorët kryesorë të Ukrainës.

Ndërkohë, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan, ka zhvilluar bisedime me homologët nga shtetet baltike - të kërcënuara historikisht nga sundimtarë të ndryshëm të Moskës, ku ai ka "theksuar angazhimin e hekurt të ShBA-së ndaj nenit 5 të NATO-s", i cili do të shkaktonte një ndërhyrje të aleancës në çdo sulm ndaj një anëtari tjetër.

Lajme të ngjashme