Lirohet nga akuza për vrasje polici britanik që e qëlloi për vdekje vozitësin Kaba - NACIONALE

Lirohet nga akuza për vrasje polici britanik që e qëlloi për vdekje vozitësin Kaba

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një polic në Londër, që para dy vjetëve kishte qëlluar për vdekje një vozitës me ngjyrë, u lirua të hënën nga akuza për vrasje në një rast që e ka thelluar mosbesimin ndaj forcës më të madhe policore në Britani në mesin e shumë komuniteteve me ngjyrë.

Pjesëtari i Policisë Metropolitane, Martyn Blake, 40 vjeç, u lirua nga një trup gjykues në Londër për vdekjen e Chris Kaba-s, i cili nuk ishte i armatosur, por po voziste një veturë që kishte qenë e përfshirë në të shtëna një ditë më parë, raporton agjencia “Associated Press”.

Polici Blake kishte shkrepur një plumb të vetëm drejt xhamit të përparmë të veturës së dyshimtë, Audi Q8, sepse ai kishte menduar se jeta e kolegëve të tij ishte në rrezik, kur Kaba kishte nisur t’i godiste automjetet e policisë me veturën e tij në përpjekje për ta zhbllokuar rrugën e për të ikur.

Një prokuror tha se Blake e gjykoi keq rrezikun ndaj kolegëve, e ekzagjeroi kërcënimin në deklaratat pas shkrepjes së plumbit dhe e vuri në shënjestër kokën e vozitësit. Sidoqoftë, Blake i mohoi këto vlerësime.

Përdorimi i zjarrit në këtë rast i ringjalli akuzat për racizëm ndaj Policisë Metropolitane, pasi forca kishte qenë duke u përpjekur që ta rikthente besimin pas një vargu të skandaleve dhe pas një vlerësimi të pavarur, që kishte zbuluar se ky institucion i rendit ishte i zhytur në seksizëm, homofobi dhe racizëm institucional.

Paralajmërim: Pamje të ndjeshme

Vendimi i rrallë për ta ndjekur penalisht policin, që ishte pezulluar nga puna, nxiti pakënaqësi te disa kolegë të tij, të trajnuar në mënyrë të posaçme për përdorimin e armëve të zjarrit, të cilët refuzuan që t’i bartnin armët në shenjë solidarizimi. Policia Metropolitane për një kohë të shkurtër ishte detyruar që të kërkonte përforcime nga departamente të tjera dhe nga ushtria.

Anëtarët e familjes së Kaba-s, që ishin të pranishëm në sallën e gjykatës, nuk shfaqën ndonjë reagim të dukshëm. Më vonë, familja tha se ishte e shkatërruar dhe se do ta vazhdonte luftën për drejtësi.

“Vendimi për pafajësi na lë ne në dhimbjen e thellë të padrejtësisë, që i shtohet pikëllimit të papërballueshëm që e kemi ndier që nga koha kur Chris-i u vra” – thuhet në një deklaratë të familjes.

“Chris-i na u vodh dhe ky vendim tregon se jeta e tij – dhe e shumë të tjerëve si ai – nuk çon peshë për sistemin. Biri ynë meritoi më mirë” – tha më tej familja e vozitësit të qëlluar për vdekje nga polici britanik./Nacionale

Lajme të ngjashme