Lindjet në Spanjë bien në nivelin më të ulët që nga nisja e regjistrimeve më 1941
Shkalla e lindjeve në Spanjë ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në vitin 1941, treguan të mërkurën të dhënat e përkohshme të Institutit Kombëtar të Statistikave.
Në vitin 2023, në shtetin me popullsi prej 48,6 milionë banorësh u regjistruan vetëm 322 mijë e 75 foshnja të reja, raporton agjencia “Reuters”.
Shkalla e lindjeve në Spanjë vitin e kaluar shënoi rënie për 2 për qind në krahasim me vitin 2022, duke e vazhduar frymën e rënies për gati 25 për qind për një dekadë. Kjo rënie e ka lënë Spanjën me shkallën e dytë më të ulët të lindjeve në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të agjencisë “Eurostat” më 2021, pas Maltës.
Të dhënat e agjencisë “Eurostat” treguan se shkalla e lindjeve në Spanjë është 1,19 lindje për grua në krahasim me mesataren e BE-së prej 1,53 lindje për grua, të dyja dukshëm nën nivelin prej 2,1 lindjesh për grua, me të cilën ruhet numri i popullsisë ekzistuese.
Demografët dhe ekonomistët e kanë nxitur Evropën që t’i rimendojë përpjekjet për ta shtuar numrin e lindjeve dhe në disa rajone të Spanjës janë miratuar masa financiare dhe zvogëlim taksash për t’i nxitur njerëzit që të kenë fëmijë.
“Është e vërtetë se lindja e fëmijës nuk është më aspiratë e përgjithësuar në jetë. Gratë duan që të kenë një karrierë, njerëzit duan që të bëjnë gjëra të caktuara para se të nisin një familje” – tha Marta Seiz, profesoreshë në Madrid, e specializuar për sociologji të familjes, demografi dhe pabarazi.
Pasiguria ekonomike, papunësia, vendet e punës me cilësi të ulët dhe rritja e çmimeve të strehimit janë disa nga arsyet pse spanjollet ose po mbeten shtatzëna më vonë ose po lindin më pak fëmijë sesa që kishin planifikuar fillimisht, sipas profesoreshës universitare.