Liderët japonezë dhe vietnamezë kundër përdorimit të forcës në Ukrainë - NACIONALE

Liderët japonezë dhe vietnamezë kundër përdorimit të forcës në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida diskutoi luftën në Ukrainë me liderët vietnamezë të dielën dhe tha se ata ranë dakord për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe refuzimin e përdorimit të forces, shkruan AP.

Japonia ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe iu bashkua vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës. Ndërsa Vietnami, si shumica e vendeve të tjera të Azisë Juglindore, ka shmangur kritikimin e drejtpërdrejtë të Rusisë dhe ka bërë thirrje për përmbajtje, respektim të kartës së OKB-së dhe dialog për të kërkuar një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Vietnami abstenoi në një votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në mars që dënonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Vendi po ashtu është një nga aleatët historikë të Moskës dhe ushtria e tij është pajisur kryesisht me armë ruse. Por, Vietnami ka gjithashtu lidhje të forta me Ukrainën, ku rreth 10,000 vietnamezë jetojnë, punojnë dhe studiojnë.

Vitet e fundit, Vietnami ka krijuar lidhje më të ngushta edhe me Shtetet e Bashkuara në kundërshtimin e pretendimeve të mëdha territoriale të Kinës në Detin e Kinës Jugore.

"Ne nuk mund të pranojmë veprimet për të ndryshuar status quo-në me forcë në asnjë rajon të botës," tha Kishida pas bisedimeve me homologun e tij vietnamez, Pham Minh Chinh.

Kishida kritikoi gjithashtu veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore, ku Pekini ka ndërtuar ishuj artificialë dhe i ka kthyer ato në poste ushtarake për të përforcuar pretendimet e saj territoriale që janë refuzuar nga fqinjët e tij më të vegjël.

Lajme të ngjashme