Samiti: Liderët e NATO-s zotohen për 5% të BPB-së shpenzime në mbrojtje deri më 2035
Udhëheqësit e NATO-s janë dakorduar për rritje të shpenzimeve në mbrojtje si dhe janë zotuar për ‘angazhimin e tyre të palëkundur’ për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje.
32 udhëheqësit pjesëmarrës në Samitin e NATO-s që po mbahet në Hagë, kanë miratuar një deklaratë përfundimtare, ku thuhet veç tjerash:
“Aleatët angazhohen të investojnë 5% të PBB-së çdo vit për nevojat thelbësore të mbrojtjes si dhe për shpenzimet e lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të siguruar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive.”
Ky ‘transformim’ në NATO, ndodh pas presionit të presidentit amerikan Donald Trump piëkërisht për këtë pikë, raporton Associated Press.
Spanja tashmë kishte njoftuar zyrtarisht se nuk mund ta arrijë këtë objektiv, dhe vende të tjera kanë shprehur rezervat e tyre.
Megjithatë, ky zotim për investim përfshin një rishikim të shpenzimeve në vitin 2029, për të monitoruar progresin dhe për të rivlerësuar kërcënimin e sigurisë që paraqet Rusia.