Liderët e Grupit G7 i bëjnë thirrje Hamasit që ta pranojë paktin për armëpushim - NACIONALE

Liderët e Grupit G7 i bëjnë thirrje Hamasit që ta pranojë paktin për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 të enjten i bënë thirrje Hamasit që të pranojë një plan drejt armëpushimit në Gaza, që ishte paraqitur muajin e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte mbështetur planin dhe “tani është e rëndësishme që secili ta zbatojë atë” – tha kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë qëndrimit në Itali për samitin e Grupit G7, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Prandaj, ne i bëjmë thirrje Hamasit në veçanti që ta japë pëlqimin e nevojshëm në mënyrë që kjo të mund të funksionojë” – shtoi ai.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila po e organizon samitin e udhëheqësve, tha se ajo e ka konfirmuar “mbështetjen e njëzëshme për propozimin ndërmjetësues të ShBA-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza”.

Grupi G7, ku bëjnë pjesë Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, ShBA-ja dhe Japonia, gjithashtu bëri thirrje për “lirimin e të gjitha pengjeve dhe për rritje domethënëse të asistencës humanitare për popullsinë civile të Gazës”, shtoi Meloni.

Besohet se 116 pengje të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor ndodhen ende në Gaza, përfshirë mbetjet e 41 personave, vdekjen e të cilëve e ka konfirmuar ushtria izraelite.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, thotë se mbi 37 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës. Shifra nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur.

Izraeli thotë se 299 ushtarë dhe një polic i janë vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza.

Lajme të ngjashme