Liberalët e Austrisë tërhiqen nga bisedimet për koalicion, çrregullohet procesi - NACIONALE

Liberalët e Austrisë tërhiqen nga bisedimet për koalicion, çrregullohet procesi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një parti e vogël liberale të premten në mënyrë të papritur u tërhoq nga bisedimet për formimin e qeverisë së re austriake, duke e çrregulluar procesin e negociatave që e kishin lënë anash Partinë e Lirisë (FPO) të së djathtës ekstreme, edhe pse ajo i kishte fituar zgjedhjet kombëtare të shtatorit.

Lëvizja shokuese nga partia Neos ngre shqetësime serioze rreth procesit të formimit të qeverisë së re dhe i dha guxim FPO-së me qëndrime miqësore ndaj Rusisë, e cila ka qenë në pritje që nga lënia jashtë bisedimeve për koalicionin e ri, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas sondazheve, përkrahja për FPO-në është rritur që nga koha kur mori rreth 29 për qind të votave në zgjedhjet e 29 shtatorit. Partia që doli e para në zgjedhje i ka kritikuar bisedimet mes partive që i kanë zënë vendet dy, tre dhe katër, duke i cilësuar ato si përpjekje jodemokratike për të formuar një “koalicion të humbësve”.

“Ne, Neos-i, nuk do t’i vazhdojmë bisedimet për një koalicion të mundshëm trepartiak” – tha kryetarja e partisë, Beate Meinl-Reisinger, në një konferencë për shtyp të organizuar me ngut, në të cilën i akuzoi palët e tjera të bisedimeve për mungesë të guximit për të marrë vendime të vështira.

Sipas saj, bisedimet me Partinë e Popullit (OVP) të kancelarit Karl Nehammer dhe socialdemokratët (SPO) nuk kishin shënuar progres të mjaftueshëm që t’ia vlente vazhdimi i tyre. Partia Neos ka bërë thirrje për taksa më të ulëta e reforma strukturore, përfshirë idetë e papopullarizuara si ngritja e moshës së pensionimit.

Rritja e përkrahjes për të djathtën ekstreme e ka bërë më të vështirë formimin e qeverive të qëndrueshme në disa shtete, përfshirë Gjermaninë e Francën. Austria nuk ka pasur koalicion qeveritar trepartiak që nga viti 1949.

Zonja Meinl-Reisinger tha se partia e saj ende ishte e përgatitur për ta dhënë mbështetjen e vet në Kuvend për masat për të cilat është arritur pajtueshmëri në bisedimet për formimin e koalicionit, duke dhënë shenjë për mundësinë që SPO-ja dhe OVP-ja do të mund të formonin një koalicion të brishtë dypartiak.

Së bashku, këto dy parti kanë shumicë me vetëm një ulëse më shumë në dhomën e ulët të Kuvendit. Pa përkrahje shtesë, ky dallim shihet si shumë jopraktik, sepse mungesa e një deputeti mund ta ndryshojë baraspeshën.

“Ne nuk po i themi jo përgjegjësisë për Austrinë. Nuk po u themi jo reformave. Nuk po u themi jo kompromisve që tashmë janë arritur” – tha kryetarja e partisë Neos.

Zëdhënësit e OVP-së dhe SPO-së nuk ishim menjëherë të qasshëm për koment për atë se si do të mund të vazhdonin bisedimet për formimin e koalicionit./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme