Libani raporton për mbi 100 të vrarë e 400 të plagosur nga sulmet izraelite - NACIONALE

Libani raporton për mbi 100 të vrarë e 400 të plagosur nga sulmet izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se mbi 100 njerëz u vranë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, gra e mjekë, nga sulmet izraelite të hënën në jug të vendit.

Fillimisht, kjo ministri kishte raportuar për 50 të vrarë e 300 të plagosur. Lajmi u përditësua nga gazeta "Nacionale" pas publikimit të shifrave të reja.

Mediat shtetërore raportuan se në një deklaratë, kjo ministri tha se “bastisjet e vazhdueshme të armikut izraelit ndaj qytezave dhe fshatrave jugore çuan, si shifër preliminare, te martirizimi i 50 njerëzve dhe lëndimi i mbi 300 të tjerëve, dhe në mesin e martirëve dhe të plagosurve kishte fëmijë, gra e anëtarë të ekipeve mjekësore”, raporton gazeta “The Guardian”.

Më herët, ushtria izraelite kishte pretenduar se kishte shënjestruar të paktën 300 zona të Hezbollahut brenda Libanit. Hezbollahu pretendoi të kishte hedhur raketa drejt bazave ushtarake izraelite në veri të Izraelit “si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të armikut izraelit që i shënjestruan zonat jugore dhe Bekaan”.

Ushtria izraelite tha se sistemi i mbrojtjes ajrore kishte penguar shumë prej të paktën 35 predhave të identifikuara që po vinin nga Libani.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka kërkuar nga të gjitha spitalet në jug dhe në lindje të vendit që “t’i ndalin të gjitha operacionet jo-esenciale me qëllim që të formohet hapësirë për trajtimin e të plagosurve për shkak të agresionit izraelit në zgjerim”.

Ka raportime për kolona në trafik, pasi banorët po ikin nga pjesa jugore dhe objektet shkollore janë mbyllur. Mësa duket, Izraeli u kishte dërguar rreth 60 mijë telefonata dhe mesazhe të automatizuara qytetarëve në Liban për t’i urdhëruar që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Sulmi izraelit ishte paralajmëruar gjatë natës, pasi ushtria izraelite kishte njoftuar se planifikonte që t’i shtonte operacionet.

Në një deklaratë të zëdhënësit të ushtrisë izraelite që e flet arabishten, libanezëve u bëhej thirrje që të largoheshin nga shtëpitë para valës së sulmeve.

“Ne do t’i thellojmë sulmet tona në Liban, veprimet do të vazhdojnë derisa ne ta arrijmë qëllimin tonë për t’i kthyer banorët veriorë në mënyrë të sigurt në shtëpitë e tyre” – tha ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, në një video të publikuar të hënën nga zyra e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme