Libani e Siria arrijnë armëpushim pas përleshjeve vdekjeprurëse në zonën kufitare
Ministri i Mbrojtjes i Libanit, Michel Menassa, dhe homologu i tij sirian, Murhaf Abu Qasra, janë pajtuar për armëpushim, thanë të hënën në deklarata ministritë e mbrojtjes të të dyja vendeve, pasi përleshjet në zonën kufitare në dy ditët e fundit lanë dhjetë të vdekur.
Tre ushtarë të ushtrisë së re siriane dhe shtatë libanezë u vranë gjatë përleshjeve kufitare në dy ditët e fundit, thanë ministritë e shëndetësisë të Libanit dhe Sirisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në anën libaneze të kufirit, 52 persona pësuan lëndime, tha Ministria e Shëndetësisë.
Ministrat e mbrojtjes të Libanit dhe Sirisë gjithashtu u pajtuan për vazhdimin e kontakteve mes drejtorive të inteligjencës ushtarake për parandalimin e përkeqësimit të situatës në kufi.
Kufiri malor ka qenë pikë tensioni në tre muajt që nga rrëzimi i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, nga rebelët islamistë. Assadi ishte aleat i Iranit dhe i grupit të armatosur libanez të përkrahur nga ky shtet, Hezbollah.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Libanit, Youssef Raji, u takua në Bruksel me homologun e tij sirian, Asaad al-Shibani, për t’i diskutuar zhvillimet matanë kufirit dhe u pajtuan për të mbajtur kontakte, raportoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve, NNA.
Të dielën vonë, Ministria e Mbrojtjes e Sirisë e akuzoi Hezbollahun se kishte kaluar në territor sirian dhe kishte rrëmbyer e vrarë tre pjesëtarë të ushtrisë së re siriane. Hezbollahu mohoi çfarëdo përfshirjeje.
Një burim libanez i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se tre ushtarët sirianë fillimisht kishin hyrë në territorin libanez dhe ishin vrarë nga pjesëtarë të armatosur të një fisi në pjesën verilindore të Libanit, të cilët kishin frikë se qyteza e tyre ishte nën sulm.
Trupat siriane u kundërpërgjigjën duke sulmuar me predha qyteza kufitare libaneze gjatë natës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë dhe ushtrisë libaneze./Nacionale