“Letra” për Epstein: Trump padit Wall Street Journal për 10 miliardë dollarë
Presidenti amerikan, Donald Trump ka paditur për 10 miliardë dollarë kompaninë Dow Jones, pronaren e Wall Street Journal, si dhe pronarin e saj Rupert Murdoch, për pretendime se ai kishte shkruar një letër “vulgare” për abuzuesin seksual Jeffrey Epstein.
Siç raporton BBC, Trump tha se artikulli është shpifje ndaj tij, në të cilin mes tjerash pretendohet se letra është një urim për ditëlindjen që mban emrin e Trump-it, e që i ishte dërguar financierit të ndjerë në vitin 2003 – përpara se Epstein të akuzohej për krime seksuale.
Trump ka deklaruar se letra, për të cilën gazeta pretendon se ai ia kishte dërguar Epsteinit për 50-vjetorin, është “false”.
Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i kërkoi një gjykatësi të bëjë publike dokumente të lidhura me Epstein, pas kritikave të ashpra për mënyrën se si administrata Trump kishte trajtuar çështjen.
Trump shkroi në rrjetet sociale:
“Sapo kemi paraqitur një padi të fuqishme kundër të gjithëve që morën pjesë në publikimin e këtij 'artikulli' të rremë, dashakeqës, shpifës dhe të pavërtetë në 'letrën pa vlerë' që është Ëall Street Journal. Shpresoj që Rupert dhe ‘miqtë’ e tij mezi presin orët e shumta të dëshmive dhe intervistave që do t’u duhet të japin në këtë rast.”
Ai tha se gazeta dhe Murdoch – me të cilin Trump ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar ndër vite – ishin paralajmëruar se do të paditeshin nëse do ta botonin artikullin.
Një zëdhënës i Dow Jones tha për BBC:
“Kemi besim të plotë në saktësinë dhe rigorozitetin e raportimit tonë dhe do të mbrohemi me forcë kundër çdo padie.”
Murdoch, i cili u pa të dielën duke ndjekur finalen e Kupës së Botës për Klube së bashku me Trump, është themeluesi i një perandorie mediatike që nga disa besohet se ndihmoi në ngjitjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas Wall Street Journal, një letër që mban emrin e Trump-it “përmbante disa rreshta tekst të shtypur brenda konturit të një gruaje të zhveshur, që duket se është vizatuar me dorë me një marker të trashë.”
“Brenda konturit të gruas së zhveshur ishte një shënim i shtypur, i shkruar në vetën e tretë si një bisedë imagjinare midis Trump-it dhe Epstein-it” – thuhet në raportim.
Thuhet se përfshinte një shaka me shprehjen “enigmat nuk plaken kurrë” dhe thuhet se mbaronte me fjalët:
“Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe uroj që çdo ditë të jetë një tjetër sekret i mrekullueshëm.”
Trump e mohoi të kishte shkruar letrën pas publikimit të artikullit të enjten, duke shkruar: “Këto nuk janë fjalët e mia, nuk është mënyra si flas unë. Gjithashtu, unë nuk bëj vizatime.”