Lavrovi thotë se Kina mund të organizojë konferencë të paqes Rusi – Ukrainë
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të enjten se Kina do të mund të organizonte një konferencë të paqes në të cilën do të merrnin pjesë vendi i tij dhe Ukraina.
Kryediplomati rus tha se një lëvizje e tillë do të ishte vazhdim i përpjekjeve të Pekinit për ta zgjidhur krizën ukrainase. Fjalët e tij u cituan nga agjencia ruse e lajmeve, RIA, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne e ndajmë pozicionin [e Kinës] që shkaktarët rrënjësorë të konfliktit duhet të adresohen në rend të parë dhe interesat ligjore të të gjitha palëve duhet të mbrohen, me marrëveshje pasuese të bazuara në parimin e sigurisë së barabartë dhe të pandashme” – tha Lavrovi në një intervistë me agjencinë RIA.
“Më lejoni që të nënvizoj përsëri, kjo e përfshin respektimin e realiteteve në terren, të cilat e pasqyrojnë vullnetin e njerëzve që jetojnë atje” – tha zyrtari i lartë i Kremlinit.
Rusia vazhdimisht ka bërë thirrje për bisedime me parakushtin që Kievi dhe Perëndimi t’ia njohin fitoret territoriale në Ukrainë. Megjithatë, Kievi i ka refuzuar ato propozime.
Lavrovi i kritikoi Shtetet e Bashkuara për ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke thënë se Uashingtoni është bërë “bashkëfajtor në krimet e regjimit të Kievit”.
Ai tha, në veçanti, se Rusia i cilëson si “sinjal veprimi” nga NATO-ja dërgesat e planifikuara të aeroplanëve luftarakë që mund të bartin koka bërthamore, F-16, në Ukrainë.
“Ata po mundohen të na thonë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk do të ndaleshin në asgjë në Ukrainë. Sidoqoftë, ne shpresojmë se ushtrimet ruso-bjelloruse për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike, që po zhvillohen tani, do t’u sjellin ca logjikë kundërshtarëve tanë duke ua sjellë ndër mend pasojat katastrofale të eskalimit të mëtejmë bërthamor” – paralajmëroi kryediplomati rus.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara gjithashtu “po i ndezin flakët e konfliktit” edhe në Lindje të Mesme.