Lavrovi thotë se do të ketë rikthime të dhunës, nëse nuk formohet shteti palestinez
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duke folur të enjten për situatën në Gaza gjatë konferencës së tij vjetore për gazetarë, bëri thirrje për formimin e një shteti palestinez.
“Drejtimi kryesor i përpjekjeve duhet të jetë formimi i një shteti palestinez në pajtueshmëri të plotë me vendimet e Këshillit të Sigurimit – një shtet që, siç shkruhet në këto vendime, do të ekzistonte në siguri dhe fqinjësi të mirë krahas Izraelit me shtete të tjera në rajon”- theksoi kryediplomati rus.
“Pa këtë, çfarëdo që ndodh, ne do të shohim rikthime të dhunës që po ndodh tash në Gaza, sepse pa formimin e një shteti palestinez, populli palestinez do të vazhdojë që të ndihet i lënë prapa, do të vazhdojë që të jetojë në kushte të padrejtësisë inferiore”- shtoi ministri Lavrov, i cili bëri thirrje që “t’i jepet fund kësaj”, raporton televizioni CNN.
Më tej, diplomati i Kremlinit tha se “shpreson që shteti i Izraelit do të arrijë në këtë përfundim në fund”, por gjithashtu theksoi se kupton që një gjë e tillë “është e papranueshme për Izraelin për momentin”.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë përpos t’ua shpjegojmë këtë atyre”- shtoi Lavrovi. Sipas tij, përpjekjet e ShBA-së për ndërmjetësim nuk do të funksionojnë përderisa nuk ka “dialog të drejtpërdrejtë mes palestinezëve e izraelitëve”.
Ministri rus njoftoi se javën e ardhshme do të shkojë në Nju-Jork për të marrë pjesë në një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje, duke thënë se Rusia “planifikon të marrë pjesë”.
“Atje, unë do t’i paraqes propozimet tona, qëllimi i të cilave është saktësisht në vazhdimin e parimeve kolektive dhe jo te përpjekja për të zgjidhur gjithçka vetëm”- tha ai.