Lavrovi sinjalizon gatishmëri për përdorimin e cilitdo mjet në konfliktin e Ukrainës
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, në një intervistë të publikuar të enjten tha se përdorimi i një rakete hipersonike në luftën e Ukrainës kishte për qëllim që t’ia bënte të qartë Perëndimit se Moska është e gatshme për të përdorur çfarëdo mjeti për t’u siguruar se nuk do t’i shkaktohet “humbje strategjike”.
Rusia e përdori raketën hipersonike “Oreshnik” kundër qytetit Dnipro të Ukrainës muajin e kaluar në atë që presidenti rus, Vladimir Putin, e përshkroi si test të një rakete që, sipas tij, nuk mund të rrëzohet. Ai tha se Rusia mund të përdorë edhe raketa të tjera të tilla në “kushte luftarake”, nëse kërkohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Porosi është që ju, dua të them ShBA-ja dhe aleatët e ShBA-së, të cilët gjithashtu ia ofrojnë regjimit të Kievit këto armë me rreze të gjatë – ata duhet të kuptojnë që ne do të ishim të gatshëm që të përdornim çfarëdo mjeti për të mos i lejuar ata që të arrijnë sukses në atë që e quajnë humbje strategjike të Rusisë” – i tha kryediplomati rus gazetarit amerikan, Tucker Carlson.
“Ata luftojnë për ta mbajtur hegjemoninë e tyre mbi botën, ndaj cilitdo shtet, ndaj cilitdo rajon, cilitdo continent. Ne luftojmë për interesat tona legjitime të sigurisë” – shtoi ai.

Duke folur në gjuhën angleze, Lavrovi tha se Perëndimi kishte refuzuar që ta diskutonte mbajtjen e garancive të sigurisë për Rusinë në javët dhe muajt para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, që Moska e quan “operacion special ushtarak”.
Lavrovi tha se Ukraina e kishte humbur mundësinë për ta ruajtur integritetin territorial duke i refuzuar dy herë propozimet për marrëveshje – një herë para fillimit të luftës dhe pastaj në bisedimet e prillit të vitit 2022 në Turqi.
“Ne nuk e filluam këtë luftë. Ne me vite e vite e vite kishim qenë duke dërguar paralajmërime se shtyrja e NATO-s më afër e më afër kufijve tanë do të krijonte një problem” – tha ministri i vjetër i Putinit.
Gjatë intervistës 80-minutëshe, Lavrovi gjithashtu tha se Perëndimi duhet të heqë dorë nga çfarëdo nocioni se Rusia nuk ka “vija të kuqe”, kapërcimi i të cilave do t’i ndalohej kujtdo, në mbrojte të interesave të saj.
Ai i cilësoi si “të kotë” planin e paqes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të paraqitur fillimisht në fund të vitit 2022, dhe planin e tij të “fitores”, i paraqitur më herët këtë vit./Nacionale