Lavrovi ia mban gajlen NATO-s: Rritja e shpenzimeve mund ta sjellë kolapsin e aleancës - NACIONALE

Lavrovi ia mban gajlen NATO-s: Rritja e shpenzimeve mund ta sjellë kolapsin e aleancës

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të hënën se vendi i tij planifikon që t’i zvogëlojë shpenzimet në fushën e mbrojtjes, por se ai mendon që vendimi i shteteve të NATO-s për t’i rritur shpenzimet e tyre në këtë sektor mund të çojë përfundimisht në kolapsimin e aleancës.

Udhëheqësit e NATO-s të mërkurën mbështetën një rritje të madhe të shpenzimeve në mbrojtje, e kërkuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe thanë se janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për ta mbrojtur njëri-tjetrin kundër atij që e cilësojnë si kërcënim nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet për komentet e homologut polak, Radoslaw Sikorski, i cili raportohet se ka thënë që një garë armësh mes Rusisë dhe Perëndimit do të mund ta nxiste rënien e presidentit rus, Vladimir Putin, Lavrovi tha se ai mendon që NATO-ja mund të kolapsojë.

“Pasi ai është aq parashikues, ndoshta parashikon që një rritje katastrofale në buxhetin e vendeve të NATO-s, sipas vlerësimeve të mia, do të çojë gjithashtu në kolapsimin e kësaj organizate” – tha kryediplomati rus.

Rusia, e cila e nisi luftën e shkallës së plotë kundër Ukrainës në shkurtin e vitit 2022 pa tetë vjetësh luftime në pjesën lindore të Ukrainës, e kundërshton pretendimin e Perëndimit se një ditë do të sulmojë një shtet të NATO-s, veprim për të cilin Moska dhe Uashingtoni thonë se do të mund ta nxiste fillimin e Luftës së Tretë Botërore.

Putini tha të premten se Rusia ishte duke e shqyrtuar zvogëlimin e shpenzimeve ushtarake nga viti i ardhshëm.

Rusia i rriti shpenzimet në mbrojtje për një çerek këtë vit, duke i çuar në 6,3 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP), niveli më i lartë që nga Lufta e Ftohtë. Shpenzimet në mbrojtje përbëjnë 32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore federale për vitin 2025./Nacionale

Lajme të ngjashme