Lajm i keq për Zelenskyn: Bideni thotë se NATO-ja është pajtuar për gjuhën rreth Ukrainës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të martën se ai është pajtuar për gjuhën e propozuar për mundësinë që Ukraina të anëtarësohet në NATO në të ardhmen.
Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhën disa çaste pas kritikave të ashpra të homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, për deklaratën e pritshme të aleancës, duke u ankuar se dukej që nuk ka gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO, as për ta bërë anëtare.
“Ne pajtohemi për gjuhën që ne e propozuam – që ju e propozuat në lidhje me të ardhmen e Ukrainës që të mund të anëtarësohet në NATO. Ne po shikojmë për një NATO të vazhduar, të bashkuar”- tha presidenti amerikan pranë sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton televizioni CNN.
Presidenti ukrainas do të marrë pjesë në takimet me udhëheqësit e NATO-s të mërkurën në Vilnius dhe do të takohet kokë më kokë me Bidenin.
Bideni ka theksuar se Ukraina nuk është e gatshme për të hyrë në NATO, duke thënë në një intervistë për televizionin CNN javën e kaluar se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të përfundojë para se aleanca të mund ta shqyrtojë anëtarësimin e Kievit.
Ndërkohë Stoltenbergu tha më herët të martën se ka besim që samiti i NATO-s do të dërgojë një “porosi pozitive dhe të fuqishme” për rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në aleancë.
Kur u pyet nëse NATO-ja do të publikojë një ftesë për Ukrainën, Stoltenbergu tha: “Do ta shihni gjuhën pas pak orëve, sepse tash jemi duke e finalizuar komunikatën.”
