Kuvendi i Ukrainës e ratifikon marrëveshjen për mineralet e rralla me ShBA-në
Kuvendi i Ukrainës të enjten votoi në favor të ratifikimit të marrëveshjes për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara, pakt me të cilin Kievi shpreson të sigurojë asistencë ushtarake në të ardhmen nga Uashingtoni në luftën kundër forcave ruse.
Pavarësisht shqetësimeve të disa deputetëve ukrainas për atë nëse Qeveria ua ka ofruar të gjitha të dhënat rreth marrëveshjes dhe për disa nga kompromiset në të, 338 ligjvënës votuan për ratifikimin e paktit, ndërsa asnjë nuk votoi kundër tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kuvendi i Ukrainës e ka ratifikuar Marrëveshjen historike për Bashkëpunim Ekonomik mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara” – shkroi në rrjetin X zëvendëskryeministrja e parë, Yulia Svyrydenko.
“Ky dokument nuk është thjesht një trup ligjor – është themeli i një modeli të ri të ndërveprimit me një partner strategjik kyç” – shtoi ajo.
Disa ligjvënës kishin ngritur dyshime për mungesën e hollësive rreth disa dispozitave të marrëveshjes, si për shembull mënyra se si do të menaxhohet një fond i paraparë investimesh për rindërtimin e vendit ose si do të bëhen kontributet në të.
Pas disa muajve bisedime që për pak nuk u shembën në një takim katastrofal mes presidentëve Volodymyr Zelensky e Donald Trump në shkurt, kjo marrëveshje i jep Kievit edhe disa fitore: nuk do të ketë nevojë që t’i kthejë ndihmat për të cilat Trumpi ka thënë se Ukraina ia ka borxh ShBA-së si dhe Uashingtoni ia njeh Ukrainës synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.