Kuvendi i Ukrainës e legalizon përdorimin e kanabisit mjekësor - NACIONALE

Kuvendi i Ukrainës e legalizon përdorimin e kanabisit mjekësor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të enjten, Kuvendi i Ukrainës e miratoi në lexim të dytë projektligjin për kanabisin mjekësor. Raportohet se ky projektligj u përkrah nga 248 deputetë.

“Projektligji e rregullon qarkullimin e kanabisit vetëm për aktivitete mjekësore, industriale e shkencore. Shpërndarja e marijuanës për përdorim rekreativ do të vazhdojë të jetë krim dhe do të hetohet nga policia në përputhje me ligjin. Prodhimi i ilaçeve do të kontrollohet në mënyrë të rreptë në të gjitha fazat”- tha deputeti Yaroslav Zheleznyak, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Ilaçet e bazuara në kanabis mjekësor mund të sigurohen vetëm përmes përshkrimit elektronik. Mjeku do t’ia japë këtë përshkrim pacientit sipas gjendjes së tij, siç është tash për tash procedura për morfinën”- shtoi ai.

Ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas ditës së publikimit, përafërsisht në gjysmën e dytë të vitit 2024, tha deputeti.

Deputetja Iryna Gerashchenko tha se partia e saj abstenoi në votim për shkak se amendamentet e tyre nuk ishin marrë parasysh.

“Ligji është i nevojshëm për ta themeluar në nivel legjislativ mundësinë e përdorimit të kanabisit për qëllime mjekësore, pa rrezikun e përgjegjësisë kriminale për mjekët, farmacistët dhe pacientët, por ai nuk e përmirëson sistemin e kontrollimit të qarkullimit. Ligji përmban shumë norma përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, kur një nen e ndalon atë që një tjetër e lejon”- tha ajo.

korrik të këtij viti, Kuvendi i Ukrainës e kishte miratuar në lexim të parë projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Lajme të ngjashme