Kuvendi i Gjermanisë i zbut rregullat e rrepta për mbiemrat e njerëzve - NACIONALE

Kuvendi i Gjermanisë i zbut rregullat e rrepta për mbiemrat e njerëzve

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Gjermanisë të premten i miratoi planet për lehtësimin e kufizimeve të ashpra rreth mbiemrave, duke ua hapur rrugën çifteve, mes tjerash, që të marrin mbiemra të dyfishtë dhe t’ua vendosin ata edhe fëmijëve.

Reforma e rregullave të prera pritet të hyjë në fuqi në fillim të majit të vitit të ardhshëm pas miratimit në dhomën e lartë të kuvendit, e cila i përfaqëson 16 qeveritë rajonale të Gjermanisë, raporton agjencia “Associated Press”.

Sipas legjislacionit të tanishëm, prindërve u kërkohet që fëmijëve t’ua japin njërin nga mbiemrat e tyre. Njëri partner në çiftin e martuar – por jo të dy – mund ta shtojë mbiemrin e partnerit ose partneres në mbiemrin e vet.

Reforma do t’u mundësojë të dy partnerëve që të marrin mbiemër të dyfishtë, me apo pa vizë mes tyre, si dhe fëmijët e tyre mund ta marrin atë mbiemër, gjithashtu. Prindërve do tu lejohet edhe dhënia e mbiemrit të tyre të dyfishtë fëmijëve të tyre. Sistemi i ri, sidoqoftë, nuk do të lejojë mbiemra që përbëhen nga më shumë se dy pjesë.

Legjislacioni do t’ua bëjë më të lehtë nipave e mbesave ose fëmijëve të prindërve të shkurorëzuar që ta ndryshojnë mbiemrin e tyre dhe do ta lejojë përdorimin e formave të përshtatura në gjini gramatikore të mbiemrave për njerëzit me mbiemra nga gjuhë që e kanë këtë tipar.

Ky ndryshim është njëra nga disa prej reformave sociale që koalicioni i udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz kishte premtuar se do t’i fuste në fuqi, kur erdhi në pushtet në dhjetor të vitit 2021.

Disa plane të tjera të profilit të lartë tashmë janë zbatuar ose miratuar. Qeveria e ka legalizuar posedimin e një sasie të kufizuar të kanabisit; i ka lehtësuar rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane dhe u ka dhënë fund kufizimeve rreth mbajtjes së shtetësisë së dyfishtë.

Lajme të ngjashme