“Kurdo, kudo”: Trumpi e sfidon Bidenin për debate televizive - NACIONALE

“Kurdo, kudo”: Trumpi e sfidon Bidenin për debate televizive

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po synon që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, e ka sfiduar rivalin e tij demokrat dhe presidentin e tanishëm të ShBA-së, Joe Biden, për t’u ballafaquar në debate televizive “kurdo, kudo, në çfarëdo vendi”.

Ai e publikoi këtë sfidë për rivalin në rrjete sociale, duke i shkruar të gjitha fjalët me shkronja të mëdha, raporton televizioni BBC.

Në anën tjetër, zyrtarët e fushatës së Bidenit thanë se Trumpi është “i etur për vëmendje dhe duke u përpjekur që ta zgjerojë thirrjen e tij”.

Dy taboret ende nuk janë pajtuar për ndonjë debat deri më tani para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Sfida e Trumpit erdhi disa orë pasi rivalja e tij republikane, Nikki Haley, u tërhoq nga gara për t’u nominuar si kandidate për president nga partia e saj.

“Është me rëndësi, për të Mirën e Vendit tonë, që Joe Biden dhe Unë të Debatojmë Çështje që janë aq jetike për Amerikën dhe për Popullin Amerikan” – shkroi Trumpi në rrjetin e tij social, “Trush Social”, disa orë pas tërheqjes së zonjës Haley nga gara brenda Partisë Republikane.

Ai shtoi se debatet e tilla do të mund të udhëhiqeshin nga Komiteti Kombëtar Demokrat ose nga Komisioni për Debate Presidenciale, i cili i ka mbikëqyrur debatet mes kandidatëve për president për të paktën 30 vjet.

Trumpi tha se komisioni i debatit – i cili e shpall veten asnjanës, por nga konservatorët akuzohet për anshmëri – është “filial” i Partisë Demokratike.

Lajme të ngjashme