Kur mbahen zgjedhjet në Britani dhe a mund të ketë votim të parakohshëm?
Boris Johnons pritet që të japë dorëheqje, por synon që të qëndrojë në postin e kryeministrit deri në vjeshtë, kur do të zgjidhet kryetari i ri i Partisë Konservatore. A do të nënkuptojë kjo nevojë për mbajtje të zgjedhjeve?
Kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Britani?
Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar – kur zgjidhet 650 anëtarët e Dhomës së Ulët – duhet të mbahen jo më vonë se pesë vjet nga zgjedhjet paraprake.
Nëse nuk shpallen zgjedhje të parakohshme, ato nuk do të mbahen deri në janarin e vitit 2025.
Kush mund t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme?
Vendimi për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme zakonisht i takon kryeministrit. Megjithatë, deri rishtazi, nuk ka ndodhur kështu.
Më 2011, ishte miratuar një ligj që ia heq të drejtën kryeministrit për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme dhe kontrollin për këtë ia jep Dhomës së Ulët.
Sipas këtyre rregullave, zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen vetëm në rrethana të caktuara – për shembull, kur dy të tretat e deputetëve e përkrahin mbajtjen e tyre.
Megjithatë, pas fitores në zgjedhjet e vitit 2019, Partia Konservatore solli një ligj të ri, që e rrëzoi ligjin paraprak dhe e ktheu pushtetin tradicional të kryeministrit për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme sipas vlerësimit të vet.
A duhet kryeministri i ri që të shpallë zgjedhje të parakohshme?
Tash, kur pritet dorëheqja e Johnsonit, Partia Konservatore duhet të zgjedhë një kryetar të ri. Fituesi i kësaj gare do të bëhet kryeministër.
Kryeministri i ri nuk do të jetë i detyruar që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, por mund ta bëjë këtë, nëse dëshiron.
Si shpallen zgjedhjet e parakohshme?
Nëse kryeministri dëshiron që të shpallë zgjedhje të parakohshme, ai ose ajo duhet t’i bëjë kërkesë Mbretëreshës Elizabetë që ta shpërndajë Parlamentin.
Nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, dita e zgjedhjeve pritet të jetë pas 25 ditëve.
Në atë moment, deputetët e humbin statusin e tyre dhe e fillojnë fushatën për të siguruar mandat të ri (nëse synojnë një gjë të tillë).
A mund t’i refuzojë Mbretëresha zgjedhjet e parakohshme?
Pasi kryeministri duhet të paraqesë kërkesë te Mbretëresha, në teori, ajo mund ta refuzojë kërkesën. Rrethanat në të cilat ajo mund ta bëjë këtë janë paksa të paqarta. Në një dokument qeveritar caktohen kushtet nën të cilat kryeministri mund t’ia kërkojë Mbretëreshës lejen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, përfshirë këto dy kushte:
- Kryeministri ta ketë përkrahjen si udhëheqës i qeverisë
- Mbretëresha nuk duhet të përfshihet në politikat partiake