Kur do të dihet se kush i ka fituar zgjedhjet në ShBA?
Vendvotimet e zgjedhjeve presidenciale në ShBA do të mbyllen të martën në mbrëmje, por gjasat janë që fituesi i garës mes republikanit Donald Trump e demokrates Kamala Harris të mos dihet për disa ditë.
Shifrat në sondazhe kombëtare e shtetërore janë bërë më të ngushta me afrimin e zgjedhjeve, prandaj mund të ketë margjina të vogla të fitores në disa vende, gjë që mund ta paraqesë nevojën për rinumërimin e votave, raporton televizioni BBC.
Është gjithashtu e mundshme që disa rezultate të vijnë më ngadalë këtë vit për shkak të ndryshimit të mënyrës se si shtetet – përfshirë të gjitha shtatë shtetet ku partia fituese ndryshon e të cilat përfundimisht do ta vendosin garën – i kanë administruar zgjedhjet nga viti 2020.
Në anën tjetër, numërimi i votave është përshpejtuar në vende si shteti Michigan, ndërsa shumë më pak vota do të hidhen përmes postës kësaj radhe se në zgjedhjet e kaluara, që ishin mbajtur gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në vitin 2020, zgjedhjet ishin mbajtur të martën e 3 nëntorit, por rrjetet televizive amerikane nuk e kishin shpallur Joe Bidenin fitues deri në mëngjesin e vonë të së shtunës së 7 nëntorit.
Presidenti i zgjedhur do të inaugurohet më 20 janar 2025, ditë e hënë, në hapësirën e kompleksit të Capitol-it dhe do të jetë inaugurimi i 60-të presidencial në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Pra, edhe pse nuk dihet se kur saktësisht do të publikohet rezultati përfundimtar, dihet se kur do të betohet presidenti i ri ose presidentja e re./Nacionale