Kuleba ankohet se aleatët s’po i japin Ukrainës mbrojtje ajrore të mjaftueshme
Partnerët e Ukrainës nuk po ofrojnë mbrojtje ajrore të mjaftueshme për t’u mbrojtur kundër sulmeve raketore ruse, edhe pse ata kanë më shumë se 100 sisteme “Patriot” në arsenalet e tyre, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Në një intervistë me agjencinë “Reuters”, kryediplomati ukrainas tha se do ta ngrinte çështjen e sistemeve raketore “Patriot” në secilin prej takimeve me homologë të vendeve të NATO-s gjatë dy ditëve në Bruksel.
“Partnerët na ofruan sisteme të ndryshme të tyre [të mbrojtjes ajrore], ne e vlerësojmë këtë, por është thjesht e pamjaftueshme, duke e marrë parasysh shkallën e luftës” – tha ministri Kuleba.
Sipas tij, partnerët e Ukrainës kanë më shumë se 100 sisteme “Patriot” në dispozicion, por deri më tani nuk kishin qenë të gatshëm për të dhuruar edhe pesë deri në shtatë të tilla – shifër për të cilën Kievi thotë se është minimalja e nevojshme për të ofruar mbrojtje të konsiderueshme shtesë.
“A është problem aq i madh? A nuk është e realizueshme që Ukrainës t’i plotësohet kërkesa minimale” – pyeti Kuleba.
Ai shtoi se në sulmet ruse gjatë muajit mars u përfshinë 94 raketa balistike, të cilat janë shumë më të shpejta se raketat që përdoren zakonisht dhe më vështirë për t’u rrëzuar.