Ku është dërguar presidenti i Koresë së Jugut pas arrestimit dhe çfarë pritet në vijim?
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u arrestua të mërkurën si pjesë e një hetimi nën dyshimin për kryengritje dhe, para se të merret në pyetje, udhëheqësi i pezulluar pritet që të mbahet në një qeli i vetëm në një qendër ndalimi.
Yoon është dërguar në hapësirat e Zyrës për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të Lartë (CIO), e cila është duke e udhëhequr hetimin për rolin e tij në shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky institucion ndodhet në një kompleks të gjerë qeveritar në qytetin Gwacheon, që kufizohet me kryeqytetin Seul, rreth dhjetë minuta vozitje me eskortë presidenciale nga rezidenca zyrtare e presidentit.
CIO-ja ka përgatitur një pyetësor me më shumë se 200 faqe për Yoonin. Edhe pse autoritetet ishin përgatitur që marrja në pyetje të incizohej në video, kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi është refuzuar nga presidenti, tha një zyrtar i CIO-së.
Në mesin e objekteve ku realizohet marrja në pyetje përfshihet një hapësirë pushimi e krijuar rishtazi bashkë me një divan për ta akomoduar Yoonin, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Autoritetet kanë 48 orë kohë për ta marrë në pyetje Yoonin, ndërsa pas kësaj kohe ata duhet të kërkojnë urdhërarrest për ta ndaluar atë deri në 20 ditë, ose duhet ta lirojnë.
Gjatë mbajtjes në ndalim, Yooni do të mbahet në Qendrën e Ndalimit të Seulit, përderisa nuk është duke u marrë në pyetje, edhe pse mund të mos ketë kohë që të dërgohet atje brenda 48 orëve, nëse marrja në pyetje vazhdon gjatë natës, sipas CIO-së.
Sipas precedentit dhe për shkak të statusit të tij, Yooni ndoshta do të mbahet në një qeli i vetëm dhe me gjasë qelia do të jetë më e madhe dhe më e mirë se qelitë standard prej 6,56 metrash katrorë për të ndalurit që mbahen të vetmuar.
Me të arritur në qendrën e ndalimit, Yooni do t’u nënshtrohet formalitetit të kontrollimit të dokumentit të identifikimit dhe një ekzaminimi të thjeshtë mjekësor dhe do të bëhet pjesë e jetës së të ndaluarve në paraburgim, të cilët zgjohen në orën 6 e 30 minuta të mëngjesit, ndërsa dritat në qendër ndalen në orën 21:00.
Autoritetet kanë maksimalisht 20 ditë kohë për të ngritur aktakuzë kundër presidentit nga momenti i arrestimit. Ata kanë 48 orë afat për të kërkuar urdhërarrest zyrtar nga gjykata, e cila do ta shqyrtonte rrezikun nëse i ndaluari mund të përpiqet që të ndërhyjë te dëshmitarët ose provat.
CIO-ja, e cila do ta marrë në pyetje presidentin gjatë kësaj periudhe, përbëhet nga prokurorë të udhëhequr nga Oh Dong-woon, që më parë ka qenë edhe gjykatës.
Dy nga katër divizionet hetuese tani për tani nuk kanë staf dhe vetën nëntë prokurorë dhe zëvendësi i Dong-woonit janë duke e trajtuar rastin e presidentit. Kjo gjë e ka zmadhuar pyetjen për atë nëse CIO-ja ka kapacitet për të ndërtuar me sukses një rast kundër Yoonit./Nacionale/Nasuf Abdyli