Kryespiunia britanike: “Po operojmë në një hapësirë mes paqes dhe luftës”
Blaise Metreweli, shefja e re e agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme, MI6, ka thënë se “jemi duke operuar në një hapësirë mes paqes dhe luftës”, përderisa e paraqiti “rrjetën e ndërthurur të sfidave të sigurisë”, të cilat ky shërbim po punon që t’i trajtojë.
Fjalimi i parë publik i saj që nga marrja e pozitës së rëndësishme u përqendrua në kërcënimin shumështresësh që paraqitet nga Rusia, vend për të cilin Metreëeli tha se “po na teston në zonën e hirtë me taktika që janë pak nën pragun e luftës”, raporton televizioni BBC.
Ajo gjithashtu e vuri në pah “rrezikun e një Rusie agresive, ekspansioniste dhe revizioniste” duke iu referuar luftës në Ukrainë, duke këmbëngulur se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdonte presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në emër të Ukrainës.
Zonja Metreweli është gruaja e parë që emërohet në krye të agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme. Ajo e mori këtë detyrë më 1 tetor nga Sir Richard Moore.
Në fjalimin e saj, i përmendi rastet kur janë parë dronë mbi aeroporte e baza ajrore si dhe sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës si shembuj të luftës hibride të Rusisë dhe taktikave të zonës së hirtë.
Pasi ishte bërë pjesë e agjencisë MI6 më 1999, ajo arriti në krye të shërbimit të inteligjencës përmes asaj që njihet si Dega Q, e cila e ka marrë emrin sipas një departamenti fiktim të agjencisë në librat e Ian Flemingut. Megjithatë, kjo degë tani është reale dhe merret me dizajnimin e pajisjeve që u mundësojnë agjentëve komunikim me shefat e tyre pa u vërejtur dhe pa u kapur.
Ajo u bëri thirrje oficerëve të inteligjencës që ta zotërojnë teknologjinë, duke premtuar se pjesëtarët e agjencisë do të jenë të aftësuar në gjuhën programuese “Python” njësoj si në shkathtësinë për të folur shumë gjuhë.