Kryemjeku amerikan kërkon masa kundër vetmisë: E rrit mbi 60 për qind rrezikun për vdekje të hershme - NACIONALE

Kryemjeku amerikan kërkon masa kundër vetmisë: E rrit mbi 60 për qind rrezikun për vdekje të hershme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryemjeku amerikan, Dr. Vivek Murthy, të martën publikoi udhëzime që bëjnë thirrje për vëmendje ndaj krizës së shëndetit publik rreth vetmisë, izolimit dhe mungesës së lidhjeve mes njerëzve në ShBA.

“Mungesa e lidhjeve e rrit rrezikun nga vdekja e hershme për më shumë se 60 për qind. Thënë thjesht, kjo shkëputje shoqërore e rrit rrezikun nga vdekja e hershme në nivelet e njëjta si thithja e deri 15 cigareve në ditë”- tha në një deklaratë Dr. Murthy.

Në raport përmenden hulumtimet e reja, sipas të cilave përafërsisht gjysma e të rriturve në Shtetet e Bashkuara e kanë përjetuar vetminë përditë, edhe para se të ndodhte pandemia e koronavirusit, raporton “ABC News”.

Aty thuhet se mungesa e lidhjeve shoqërore mund të paraqesë rreziqe të konsiderueshme shëndetësore, sepse vetmia mund ta rrisë rrezikun nga vdekja e hershme për 26 për qind dhe izolimi për 26 për qind, sipas një meta-analize të përmendur në udhëzimet e mjekut.

Sipas raportit, lidhjet e pamjaftueshme shoqërore janë lidhur edhe me rritjen e rrezikut nga sëmundjet e zemrës, sulmet, ankthi, depresioni dhe demenca.

Për më tepër, vetmia është raportuar në mesin e motiveve kryesore për ta lënduar veten, sipas një rishikimi sistematik të përmendur në raport.

“Duke i marrë parasysh pasojat e thella të vetmisë dhe izolimit, kemi një mundësi, një obligim, për t’i bërë investimet e njëjta për adresimin e lidhjeve shoqërore, si për investimet që i kemi bërë për t’i adresuar përdorimin e duhanit, obezitetin dhe krizën e varësisë”- tha Murthy.

Dokumenti me udhëzime përfshin një kornizë për Strategjinë Kombëtare për Avancimin e Lidhjes Shoqërore, ku ka rekomandime për individë, qeveri, vende të punës, sisteme shëndetësore dhe organizata komunitetesh për ta shtuar lidhjen shoqërore dhe për ta përmirësuar shëndetin e përgjithshëm. Ky lloj i strategjisë nuk është zbatuar kurrë më parë në ShBA.

Lajme të ngjashme