Kryeministrja Meloni e Italisë denoncohet në GjNP për bashkëfajësi në gjenocid në Gaza - NACIONALE

Kryeministrja Meloni e Italisë denoncohet në GjNP për bashkëfajësi në gjenocid në Gaza

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha të martën se ajo bashkë me dy ministra të saj janë raportuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) nën akuzën për bashkëfajësi për gjenocid në lidhje me ofensivën e Izraelit në Gaza.

Duke folur në një intervistë në televizionin publik RAI, Meloni tha se në gjykatën me seli në Hagë janë denoncuar ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, dhe “mendoj” se edhe Roberto Cingolani, drejtor i grupit të kompanive të mbrojtjes “Leonardo”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në komente të tjera, Meloni tha se beson që presidenti amerikan, Donald Trump, ka ardhur në përfundim se Rusia nuk është interesuar për një marrëveshje të paqes me Ukrainën.

Disa shtete perëndimore, përfshirë Britaninë, Francën, e Kanadanë, njohën një shtet të pavarur palestinez muajin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në shtator, Meloni kishte thënë se vendi i saj ishte i gatshëm që ta bënte të njëjtën gjë, por me dy kushte: të lirohen të gjitha pengjet izraelite dhe Hamasi të përjashtohet nga çfarëdo roli qeverisës.

Zonja Meloni drejton një qeveri djathtiste që ka qenë njëra nga aleatet më të forta të Izraelit në Bashkimin Evropian./Nacionale

Lajme të ngjashme