Kryeministri spanjoll do ta vizitojë Ukrainën për ta përkrahur Zelenskyn - NACIONALE

Kryeministri spanjoll do ta vizitojë Ukrainën për ta përkrahur Zelenskyn

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, planifikon që të udhëtojë në Ukrainë të hënën për ta përkrahur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe demokracinë e këtij shteti, tha ai të enjten, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti Zelenskyn “diktator”.

Komentet e Trumpit dhe ndryshimi i politikës amerikane nga ai rreth luftës trevjeçare në Ukrainë ka shkaktuar shqetësime në mesin e aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Evropë se nga qasja e tij për përfundimin e luftës Rusi – Ukrainë mund të përfitojë Moska, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Unë do të jem në Kiev të hënën për ta riafirmuar përkrahjen e Spanjës për demokracinë ukrainase dhe për presidentin Zelensky” – shkroi kryeministri spanjoll në rrjetin social X.

Trumpi ka pretenduar se Ukraina e ka fajin edhe për fillimin e pushtimit rus më 2022 dhe administrata e tij hapi bisedime për arritjen e një marrëveshjeje të paqes drejtpërdrejt me Kremlinin, pa i përfshirë Ukrainën ose partnerët evropianë.

Të enjten, agjencia “Reuters” raportoi se Shtetet e Bashkuara janë duke refuzuar që të bashkësponsorojnë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara me të cilën do të përkrahej integriteti territorial i Ukrainës dhe do të dënohej agresioni i Rusisë.

Kjo nuk është hera e parë që Spanja del kundër qëndrimeve të ShBA-së viteve të fundit. Vendi i Evropës Jugore njihet edhe për ofrimin e mbështetjes për Gazën e kritikat ndaj Izraelit, pozicion që bie ndesh me përkrahjen amerikane për shtetin e Lindjes së Mesme./Nacionale

Lajme të ngjashme