Kryeministri sllovak e përmendi fashizmin në ushtrinë ukrainase, reagon Kievi - NACIONALE

Kryeministri sllovak e përmendi fashizmin në ushtrinë ukrainase, reagon Kievi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina të hënën shprehu zhgënjim me pretendimet e kryeministrit sllovak me qëndrime pro-ruse, Robert Fico, se Kievi duhet të veprojë për t’i larguar nga rangjet e ushtrisë ato që i përshkroi si elemente fashiste brenda ushtrisë ukrainase.

Thirrja e kryeministrit që i mbijetoi një atentati në maj i pasqyrojnë argumentet e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, përfshirë pretendimin e Kremlinit se përmes pushtimit të nisur më 2022 synohet që të “denazifikohet” vendi fqinj, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne të gjithë flasim për fashizmin, nazizmin, dhe prapë në mënyrë taktike e tolerojmë faktin se ka njësite që po sillen nëpër Ukrainë që kanë përcaktim shumë të qartë, që janë të lidhura me lëvizje që ne tani i konsiderojmë të rrezikshme dhe të ndaluara” – tha Fico i Sllovakisë.

Pas kësaj deklarate erdhi reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës: “Në Kiev, ka zhgënjim në lidhje me deklaratën e bërë nga kryeministri sllovak, Robert Fico, drejt ushtarëve ukrainas, që del kundër nivelit ekzistues të besimit dhe bashkëpunimit mes Ukrainës dhe Sllovakisë.”

Rusia vazhdimisht u referohet udhëheqësve të Ukrainës si nazistë. Presidenti rus, Vladimir Putin, që nga fillimi i luftës e ka përmendur nevojën që Ukrainës, sipas tij, t’i hiqen qafe nazistët.

Ndjekja e vijës së Kremlinit nga Fico si udhëheqës i një shteti që është anëtar i NATO-s i ndërlikon thirrjet pothuajse të përditshme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që aleanca t’i japë vendit të tij armë me rreze të gjatë dhe leje për t’i përdorur ato ndaj territorit rus.

Që nga fillimi i luftës, Ukraina është përpjekur që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por Fico dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, i kanë rezistuar konsensusit rreth këtyre përpjekjeve.

Rusia e ka kritikuar batalionin “Azov” të Ukrainës për lidhjet e tij me ultra-nacionalistët në kohën e themelimit për të luftuar kundër separatistëve të financuar nga Moska më 2014.

Kjo njësi tashmë është reformuar dhe është bërë pjesë e ushtrisë ukrainase. Ajo nderohet në mbarë Ukrainën për rezistencën e saj, sidomos gjatë rrethimit gati tremujor të portit të Mariuopolit./Nacionale

Lajme të ngjashme