Kryeministri populist i Sllovenisë në luftë të ashpër zgjedhore
Sllovenët votuan sot në zgjedhjet në të cilat kryeministri Janez Jansa shpreson të largojë kritikat ndaj tij mbi dekmokracinë dhe liritë e medias, duke shpresuar të fitojë një mandat të katërt parlamentar.
Por, NationalNews shkruan se partia e tij, Partia Demokratike Sllovene përballet me një sfidë të fortë nga Lëvizja e Lirisë, e cila kërkon më shumë investime në energjinë e rinovueshme dhe transparencë në institucionet shtetërore. Një sondazh i publikuar nga agjencia e sondazheve Ninamedia të premten e ka nxjerrë Lëvizjen për Liri me 27.7 për qind të votave ndërsa SDS e Jansa me 24 për qind, ndërsa në zgjedhjet e mbajtura rreth 1.7 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin.
Jansa, një admirues i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe një aleat i kryeministrit nacionalist hungarez Viktor Orban, është përplasur me Brukselin për liritë e medias, dhe akuzohet nga kundërshtarët për minimin e standardeve demokratike. Për shkak të shpërthimeve të tij në rrjetet sociale, Jansa ndryshe është quajtur edhe “Marshal Tweeto”.
Populisti 63-vjeçar është zotuar të përmirësojë ekonominë dhe të sigurojë energjinë në vendin e vogël alpin me rreth 2 milionë banorë - anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kushdo që të jetë fituesi i zgjedhjeve, për të formuar një qeveri të re do të duhet të sigurojë partnerë koalicioni. Por, deri më tani dy partitë kryesore me prirje të majtë e kanë përjashtuar mundësinë për një koalicion në krye me Jansan.
Jansa, i cili ka shërbyer si kryeministër nga viti 2004 deri në vitin 2008, nga 2012 në 2013 dhe nga 2020 deri më tani, është një avokat i vendosur i zgjerimit të BE-së, duke përfshirë anëtarësimin e Ukrainës.
Ai ishte një ndër liderët e parë të BE-së që vizitoi Ukrainën dhe tregoi solidaritet me Kievin pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt. Ai gjithashtu ka premtuar të zvogëlojë varësinë e Sllovenisë nga importet e gazit rus.
Jansa thotë se e ka menaxhuar mirë ekonominë dhe shpreson të përfitojë nga masat e zbatuara për të zbutur ndikimin ekonomik të pandemisë Covid-19.
Pasi hodhi votën e tij, ai tha se "këto zgjedhje do të vendosin se si do të zhvillohet Sllovenia jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por edhe për dekadën e ardhshme."
Ndërsa, partia tjetër, Lëvizja për Liri udhëhiqet nga Robert Golob, një ish-ekzekutiv i një kompanie energjetike në pronësi të shtetit. Ai mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, por akuzon Jansa-n se kërkon të shfrytëzojë luftën për përfitimin e tij politik, një akuzë që kryeministri e kundërshton.