Kryeministri polak thotë se ndien frikë dhe shpresë para takimit Trump – Putin
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të hënën se ndien një përzierje të frikës dhe shpresës para samitit mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë për luftën në Ukrainë në fund të kësaj jave, por shtoi se Uashingtoni është zotuar se do të konsultohet me partnerët evropianë para bisedimeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, të premten e kësaj jave në Alaskë dhe Ukraina ka frikë se dy udhëheqësit mund t’i diktojnë kushtet për përfundimin e luftës që nisi në vitin 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pala amerikane ka premtuar se do të konsultohet me partnerë evropianë për pozicionin e saj para takimit në Alaskë” – tha kryeministri polak në një konferencë për gazetarë.
“Unë do të pres... për efektet e takimit mes presidentëve Trump dhe Putin – kam shumë frikëra dhe shum shpresë” – shtoi ai.
Tusku tha se komentet e Trumpit rishtazi për luftën në Ukrainë mund ta japin përshtypjen se presidenti amerikan po i kupton gjithnjë e më shumë argumentet ukrainase dhe evropiane në lidhje me konfliktin, por se ai nuk është 100 për qind i sigurt se ky pozicion do të zgjasë.
Udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë, Britanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian të shtunën i mirëpritën përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës, por e theksuan nevojën që t’i bëhet presion Rusisë dhe të ofrohen garanci të sigurisë për Ukrainën.
Tusku tha se deklarata e përbashkët nga udhëheqësit evropianë tregon se ata janë të bashkuar në qasjen e tyre ndaj bisedimeve të paqes në Ukrainë, duke shtuar se Kievi duhet të përfshihet në çfarëdo diskutimi të tillë.
“Për Poloninë dhe partnerët tanë, është e qartë se kufijtë shtetërorë nuk mund të ndryshohen me forcë” – tha ai. “Lufta e Rusisë me Ukrainën nuk duhet t’i sjellë përfitime agresorit” – shtoi kryeministri polak./Nacionale