Kryeministri polak thotë se ka rrezik real dhe serioz për konflikt global
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të premten se ngjarjet e fundit tregojnë që ekziston rrezik real për shpërthimin e një konflikti global. Deklarata e tij erdhi pasi Rusia hodhi një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi drejt një qyteti ukrainas.
“Lufta në lindje është duke hyrë në një fazë vendimtare, na duket se e panjohura po afrohet. Konflikti po merr përmasa dramatike. Dhjetëra orët e fundit kanë treguar se rreziku është serioz dhe real, kur bëhet fjalë për një konflikt global” – tha Tusku në një konferencë të mësuesve, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Polonia, që kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe Bjellorusinë, ka qenë zë udhëheqës ndaj shteteve të NATO-s për të shpenzuar më shumë në fushën e mbrojtjes, ndërsa vetë ka ndarë 4,7 për qind të prodhimit vendës bruto për ta fuqizuar ushtrinë vitin e ardhshëm.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj vendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë për ta lejuar Ukrainën që të sulmojë territor rus me armë të avancuara perëndimore, lëvizje që, sipas tij, i ka dhënë konfliktit “elemente të karakterit global”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin raketor rus si përshkallëzim tjetër pas dislokimit të trupave të Koresë së Veriut në territorin e Rusisë.
Të enjten, Rusia tha se një bazë e re mbrojtëse amerikane me raketa balistike në pjesën veriore të Polonisë do të çojë në rritje të nivelit të përgjithshëm të rrezikut bërthamor, por Varshava tha se “kërcënimet” nga Moska vetëm do ta përforcojnë argumentin për mbrojtjen e NATO-s.