Kryeministri polak paralajmëron se lufta është rrezik i vërtetë dhe Evropa s’është gati - NACIONALE

Kryeministri polak paralajmëron se lufta është rrezik i vërtetë dhe Evropa s’është gati

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka dhënë një paralajmërim të qartë se Evropa ka hyrë në një “epokë të paraluftës” dhe se nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Evropë nuk do të mund të ndihet i sigurt.

“Nuk dua që të frikësoj askënd, por lufta nuk është më koncept nga e kaluara. Është e vërtetë dhe filloi para më shumë se dy vjetëve” – u tha ai mediave evropiane, raporton televizioni BBC.

Komentet e Tuskut erdhën pas një grumbulli të ri të raketave ruse të hedhura drejt Ukrainës. Polonia tha se aeroplanë të NATO-s u ngritën në qiell për ta mbrojtur hapësirën e saj ajrore.

Tusku, ish-president i Këshillit Evropian, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, tashmë e ka fajësuar Ukrainën për sulmin masiv afër Moskës pa ndonjë dëshmi dhe “dukshëm e ndien nevojën për t’i justifikuar sulmet gjithnjë më të dhunshme ndaj caqeve civile në Ukrainë”.

Ai theksoi se Rusia e sulmoi Kievin me raketa hipersonike gjatë orëve të ditës për herë të parë më herët këtë javë.

Tusku u bëri apel udhëheqësve evropianë që të bëjnë më shumë për ta fuqizuar mbrojtjen e vendeve të tyre.

Pavarësisht nëse zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara i fiton Joe Biden apo Donald Trump, kryeministri polak argumentoi se Evropa do të bëhet partnere më tërheqëse për ShBA-në, nëse bëhet më e vetëmjaftueshme në aspektin ushtarak.

Lajme të ngjashme