Kryeministri polak paralajmëron: Po jetojmë në një epokë paralufte - NACIONALE

Kryeministri polak paralajmëron: Po jetojmë në një epokë paralufte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i porsazgjedhur polak, Donald Tusk, ka lëshuar një paralajmërim të qartë se Evropa tani qëndron në një epokë të re paralufte, njësoj siç ishte para Luftës së Dytë Botërore.

“Kohërat e qetësisë së hareshme kanë mbaruar. Epoka e pasluftës ka shkuar. Po jetojmë në kohëra të reja, në një epokë paralufte. Në fakt, për disa nga vëllezërit tanë, nuk është më as epokë e paraluftës. Është një luftë e shkallës së plotë në formën e saj më mizore” – tha polaku para disa homologëve dhe qindra deputetëve evropianë që po marrin pjesë në kongresin vjetor të aleancës së Partive Popullore EvropianeBukuresht të Rumanisë.

“Nuk është faji jonë që fjalori ynë i përditshëm përfshin, edhe një herë, fjalë të tilla si luftime, bombardime, sulme me raketa, gjenocid” – shtoi Tusku, raporton gazeta “The Guardian”.

“Evropa donte që të jetonte dhe ta zhvillonte veten në një botë të pasluftës, por sot ne duhet të themi qartë se ballafaqohemi me një zgjedhje të thjeshtë – ose e marrim përsipër luftën për t’i mbrojtur kufijtë tanë, parimet tona dhe, si pasojë, qytetarët tanë dhe gjeneratat e ardhshme, ose do të biem” – tha më tej kryeministri polak.

“Nuk ka arsye objektive për të kapitulluar para të keqes. Potenciali i Evropës, ekonomik, financiar, demografik, moral, është më i madh se potenciali i atyre që na sulmojnë. Është jetike sot që Evropa të besojë në fuqinë e saj” – vazhdoi kryeministri i vendit të Evropës Qendrore.

“Gjithashtu, kur bëhet fjalë për kontekstin e kapacitetit tonë të mbrojtjes, nuk mund të jetojmë në iluzione. Askush nuk do ta zërë vendin tonë në këtë luftë për sigurinë tonë dhe për të ardhmen tonë. Vetë ne jemi garantuesit më të mirë të sigurisë sonë dhe të unitetit tonë” – paralajmëroi Tusku.

“Siç mirë e dini, personi i vetëm në të cilin mund të llogarisni, është vetja. Evropianët do të jenë të bashkuar, kur ata shohin me tërë qartësinë se Unioni është vërtet Evropa jonë, shtëpi e sigurt dhe e mirë për njerëzit” – tha kryeministri polak.

Lajme të ngjashme