Kryeministri italian: Nuk arrihet asgjë duke folur me Putinin
Kryeministri italian Mario Draghi ka thënë se përpjekjet diplomatike të Perëndimit për të bindur Vladimir Putinin të ndalojë luftën në Ukrainë janë “të padobishme”.
"Unë kam filluar të mendoj se ata njerëz kanë të drejtë kur thonë. Është e kotë të flasësh me të, është thjesht humbje kohe," tha Draghi për mediat italiane të dielën.
Ai shtoi se objektivi i Putinit nuk ishte paqja "por përpjekja për të asgjësuar rezistencën ukrainase, për të pushtuar vendin dhe për t'ia besuar atë një qeverie mike".
Draghi po ashtu ka folur për largimin nga gazi rus, ku tha se Evropa mund të kufizojë varësinë e saj nga energjia ruse “në një kohë relativisht të shkurtër”.
“Ne nuk duam të varemi më nga gazi rus, sepse varësia ekonomike nuk duhet të bëhet nënshtrim politik. Për ta bërë këtë, ne duhet të diversifikojmë burimet e energjisë dhe të gjejmë furnizime të reja. Diversifikimi është i mundur dhe i realizueshëm në një kohë relativisht të shkurtër, më të shkurtër nga sa e imagjinonim vetëm një muaj më parë,” tha ai.
Kujtojmë se Italia ka nënshkruar një marrëveshje me Algjerinë për të marrë gaz shtesë deri në dy vitet e ardhshme.