Kryeministri i Japonisë i mbijeton votimit në Kuvend, rizgjidhet - NACIONALE

Kryeministri i Japonisë i mbijeton votimit në Kuvend, rizgjidhet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetët japonezë votuan të hënën që kryeministri Shigeru Ishiba të qëndrojë në pozitën e tij, pasi koalicioni i tij i kapluar nga skandalet e humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet për dhomën e ulët të Kuvendit muajin e kaluar.

Ishiba, i cili i shpalli zgjedhjet e parakohshme pas marrjes së detyrës më 1 tetor, duhet të drejtojë një qeveri të brishtë të pakicës, përderisa proteksionisti Donald Trump e rimerr kontrollin në ShBA, tensionet me Kinën dhe Korenë e Veriut po rriten dhe presioni i brendshëm po shtohet për ta luftuar rritjen e kostos së jetesës, raporton agjencia “Reuters”.

Partia Demokratike Liberale e Ishibas dhe partnerja e koalicionit, Komeito, e fituan bllokun më të madh të ulëseve në zgjedhje, por e humbën shumicën që e mbanin që nga viti 2012, duke e lënë atë të varur nga partitë e vogla opozitare për ta miratuar agjendën e tij politike.

Duke e vënë në pah brishtësinë, votimi i së hënës në Kuvend, i transmetuar në televizion, shkoi në balotazh për herë të parë në 30 vjet, pasi asnjëri kandidat nuk e mori shumicën në rundin e parë.

Megjithatë, Ishiba në fund ngadhënjeu siç pritej, duke marrë 221 vota në dhomën e ulët me 465 ulëse, dukshëm më shumë se rivali më i afërt, ish-kryeministri Yoshihiko Noda, kreytar i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike Kushtetuese.

Japonia do të mbajë zgjedhje vitin e ardhshëm për dhomën e lartë të Kuvendit, që ka më pak pushtet, ku shumica e ngushtë e koalicionit qeveritar gjithashtu mund të jetë në rrezik, nëse Ishiba nuk do të mund ta ringjallë besimin e publikut në administratën e tij, që është goditur nga një skandal rreth donacioneve të paregjistruara ndaj ligjvënësve.

Sfida e tij e menjëhershme është hartimi i një buxheti plotësues për vitin fiskal që zgjat deri në mars, nën trysni nga votuesit dhe partitë opozitare për t’i rritur shpenzimet për mirëqenie dhe për të bërë hapa për t’iu kundërvënë rritjes së çmimeve.

Lajme të ngjashme