Kryeministri britanik pranon se bisedimet e paqes mund t’i japin fund luftës në Ukrainë
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha të hënën se shtimi i mbështetjes për Ukrainën është thelbësor për ta vënë këtë shtet në pozicionin më të fuqishëm për bisedime të paqes, pasi pranoi në termat më të qartë se mund të ketë fund të negociuar të luftës.
Starmeri e theksoi rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme perëndimore për Ukrainën dhe paralajmëroi se fitorja e mundshme e Rusisë do t’i rrezikonte sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e Evropës, veçanërisht për shkak se ajo do të mund t’i trimëronte aleatët e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duhet të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën dhe ta bëjmë atë që nevojitet për ta mbështetur vetëmbrojtjen e tyre për aq gjatë sa të jetë e nevojshme” – tha kryeministri britanik në një fjalim në distriktin financiar historik të Londrës.
“Për ta vënë Ukrainën në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm për bisedime, në mënyrë që ata të mund të sigurojnë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme sipas kushteve të tyre që i garantojnë sigurinë dhe pavarësinë e tyre si dhe të drejtën për ta zgjedhur të ardhmen e vet” – shtoi ai.
Komentet e kryeministrit Starmer vijnë në një moment kritik në luftën e Ukrainës, pasi forcat ruse po avancojnë me ritmin më të shpejtë që nga viti 2022 dhe kur presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump – që është thellësisht skeptik për përkrahjen e ShBA-së për Ukrainën – ka premtuar se do t’i japë fund shpejt luftës pasi të jetë inauguruar më 20 janar.
Britania ka qenë njëra nga mbështetëset më të zëshme të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus më 2022 dhe shteti i parë që i ka ofruar Kievit armë më të sofistikuara, përfshirë tanket e betejave dhe raketat me drejtim me rreze të gjatë./Nacionale