Kryeministri britanik e quan katastrofë absolute situatën në Gaza
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, duke folur pranë presidentit amerikan, Donald Trump, në fushën e golfit të këtij të fundit në Skoci, e ka quajtur katastrofë situatën në Gaza.
Politikani laburist tha se publiku britanik është i revoltuar nga pamjet e njerëzve që po vdesin urie në Gaza, duke bërë thirrje që të bëhet më shumë për t’i futur ndihmat në enklavë, raporton televizioni CNN.
“Është një krizë humanitare. Është një katastrofë absolute. Askush nuk dëshiron që ta shohë atë dhe mendoj se njerëzit në Britani janë të revoltuar nga ato që janë duke i parë në ekranet e tyre” – tha Starmeri.
Më tej, kryeministri britanik e falënderoi Trumpin për udhëheqjen e përpjekjeve për të arritur një armëpushim në Gaza, por e theksoi nevojën për të dërguar më shumë ndihma te popullsia e uritur.
Starmeri tha se Britania është duke punuar me Jordaninë për organizimin e hedhjes së ndihmave nga ajri në Gaza, ndërsa kamionët që bartin ndihma ende ballafaqohen me pengesa logjistike komplekse të vendosura nga Izraeli. “Kjo është një situatë dëshpëruese” – shtoi ai.
Kryeministri britanik është duke u ballafaquar me presion në rritje nga Partia Labursite të cilës i përket që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit. Presioni është bërë më akut, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se vendi i tij do të njohë një shtet të pavarur palestinez në shtator, duke u bërë shteti i parë i Grupit G7 që do ta ndërmarrë këtë veprim.
Ndërkohë, presidenti amerikan tha se ShBA-ja do të hapë “qendra të ushqimit” në Gaza për ta adresuar krizën e vazhdueshme të urisë dhe kequshqyerjes.
“Ne do të ndërtojmë qendra të ushqimit dhe do ta bëjmë këtë në ndërthurje me disa njerëz shumë të mirë dhe do të ofrojmë fonde, sapo përfshimë triliona dollarë, kemi shumë para, dhe do të shpenzojmë pak para në ca ushqim dhe vende të tjera do të na bashkohen” – tha Trumpi të hënën./Nacionale