Kryediplomati sirian pritet këtë javë në Uashington – për herë të parë pas 25 vitesh
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shibani, do të takohet këtë javë në Uashington me disa ligjvënës amerikanë për ta diskutuar heqjen e sanksioneve të mbetura të ShBA-së ndaj vendit të tij, citohet të ketë thënë senatori Lindsey Graham.
Vizita e Shibanit – e para nga një ministër i Jashtëm i Sirisë në Uashington në më shumë se 25 vjet – vjen pak pas deklaratës së presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili të mërkurën tha se bisedimet e Sirisë me Izraelin për të arritur një pakt të sigurisë mund të sjellin rezultate “ditëve në vijim”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Senatori Graham i tha mediumit amerikan “Axios” se ai dhe senatorë të tjerë do të takohen me ministrin sirian të enjten për ta diskutuar heqjen e përhershme të sanksioneve të caktuara që janë të autorizuara me ligje, përfshirë atë që njihet si Akti i Cezarit.
Kryediplomati sirian pritet të takohet të premten me homologun amerikan, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, raportoi mediumi “Axios”.
Graham-i tha se ai do ta përkrahte anulimin e këtyre sanksioneve, nëse Siria zyrtarisht lëviz tutjedrejt një marrëveshjeje të re të sigurisë me Izraelin dhe nëse i bashkohet një koalicioni kundër ISIS-it.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për vizitën e ministrit të Jashtëm të Sirisë.
Siria dhe Izraeli janë në bisedime për të arritur një marrëveshje me të cilën Damasku shpreson t’i sigurojë ndaljen e sulmeve ajrore izraelite dhe tërheqjen e trupave të vendit fqinj, të cilët e kanë kaluar kufirin jugor të Sirisë.
Agjencia “Reuters” raportoi këtë javë se Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë presion Sirisë për të arritur një marrëveshje me Izraelin para se udhëheqësit botërorë të mblidhen javën e ardhshme për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Sidoqoftë, presidenti sirian ka mohuar se Uashingtoni po i bën ndonjë presion vendit të tij, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke luajtur rol ndërmjetësues.
Ai tha se Izraeli ka kryer më shumë se 1.000 sulme ndaj Sirisë dhe mbi 400 operacione tokësore nga 8 dhjetori, kur përmes ofensivës së rebelëve u rrëzua nga pushteti ish-presidenti sirian, Bashar al-Assad./Nacionale