Kryediplomati kinez: ShBA-ja ka perceptim të gabuar për Kinën
Shtetet e Bashkuara po mbështeten në perceptime të gabuara për Kinën dhe ende nuk i kanë përmbushur “premtimet” e tyre, pavarësisht nga ca përparim nga takimi i nëntorit mes presidentëve Joe Biden e Xi Jinping, tha të enjten ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi.
Duke folur në një konferencë për gazetarë në margjinat e një takimi vjetor parlamentar në Pekin, kryediplomati kinez tha se këmbimet mes dy vendeve mund të vazhdojnë, vetëm nëse të dyja palët i respektojnë dhe i njohin dallimet e tyre, raporton agjencia “Reuters”.
“Duhet të theksohet se perceptimi i gabuar nga ana e ShBA-së për Kinën vazhdon dhe premtimet që ajo i ka dhënë nuk janë përmbushur vërtet” – tha Yi në Kongresin Popullor Kombëtar.
“Metodat e shtypjes së Kinës vazhdimisht po përtërihen dhe lista e sanksioneve të njëanshme po zgjerohet në mënyrë konstante” – shtoi ai.
“Krimet” që ShBA-ja dëshiroi t’i shtonte në listën që Kina gjoja i ka kryer “kanë arritur në një nivel të pabesueshëm” - tha më tej ministri kinez.
Prapëseprapë, Bideni ka bërë të qartë se ShBA-ja nuk do të synojë një Luftë të re të Ftohtë e as që ta ndryshojë sistemin kinez apo ta përkrahë pavarësinë e Tajvanit, pretendoi Yi.
Në diskutimin vjetor e me shumë tema, kryediplomati kinez përdori ton relativisht të matur, përderisa foli edhe për marrëdhëniet me Rusinë dhe për konfliktin në Ukrainë, Evropën, vështirësitë e ekonomisë së Kinës dhe inteligjencën artificiale.
Më tej, Yi tha se Kina do të dorëzojë një draft-rezolutë për inteligjencën artificiale në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e pasqyruar nevojën edhe për zhvillim, edhe për siguri.
“Inteligjenca artificiale gjithmonë duhet të jetë nën kontrollin e qenieve njerëzore” – tha ai.