Kryediplomati iranian thotë se ShBA-ja ia ka dërguar Iranit dy porosi rreth eskalimit - NACIONALE

Kryediplomati iranian thotë se ShBA-ja ia ka dërguar Iranit dy porosi rreth eskalimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar vendit të tij dy porosi në lidhje me eskalimin e mundshëm në rajon.

“Porosia e parë thoshte se Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara për ta zgjeruar luftë, ndërsa me porosinë e dytë i kërkohej Iranit që të ketë vetëpërmbajtje dhe këmbëngulej se Irani duhej të kërkonte edhe nga shtetet e palët e tjera që të kenë vetëpërmbajtje”- tha ministri iranian gjatë një konference për gazetarë të hënën në mbrëmje.

Kryediplomati iranian nuk tregoi se si ose kur janë pranuar këto porosi nga Shtetet e Bashkuara, raporton televizioni CNN.

“ShBA-ja thotë se nuk është e interesuar për zgjerimin e luftës, por në dy javët e kaluara ka treguar se është e përfshirë në zgjerimin dhe eskalimin e konfliktit në Gaza përmes dërgimit të mijëra dërgesave me armë e përkrahje të plotë për regjimin zionist”- shtoi ai.

Abdollahiani e kritikoi presidentin amerikan, Joe Biden, për atë që ai e quajtur “hipokrizi” të pozicionit të ShBA-së rreth të drejtave të njeriut në Gaza. Ai pyeti nëse “vdekja e mbi 5 mijë civilëve, grave e fëmijëve, më shumë se 20 mijë të plagosur e qindra mijëra të pastrehë janë rezultat i të drejtave të njeriut për të cilat z. Biden po fliste”.

Përderisa Izraeli po përgatitet për një ofensivë të pritshme tokësore në Gaza, në botë ka pasur vrull të përpjekjeve diplomatike për ta parandaluar eskalimin e luftës mes Izraelit e Hamasit në një konflikt më të gjerë rajonal.

Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ka pasur të shtëna të vazhdueshme në kufirin verior të Izraelit me Libanin, ku ushtria izraelite është përleshur me Hezbollahun, grup i mbështetur nga Irani.

Lajme të ngjashme